Hamza vizitë në Vushtrri: Familjet kosovare përballen me çmime të larta dhe paga të pamjaftueshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ishte në vizitë në Vushtrri, aty ku u prit nga familja Hyseni.

Përmes një postimi në Facebook, Hamza tha se familjet kosovare kanë halle të ngjashme duke potencuar çmimet dhe tatimet e larta dhe pagat e pamjaftueshme.

“Vizitat nëpër familjet tona anekënd Kosovës po tregojnë të njëjtën pamje: njerëz të ndershëm, me vullnet të madh për punë dhe që kanë dhënë shumë për Kosovën, por me brenga e shqetësime që po rëndohen çdo ditë. Edhe në familjen Hyseni në Vushtrri dëgjova të njëjtat halle që sot i kanë shumë familje: çmime dhe tatime të larta, paga të pamjaftueshme dhe shpenzime të mëdha për shëndetësinë që paguhen nga xhepi i tyre”, ka shkruar ai.

Tutje, Hamza tha se në një qeveri që do të udhëhiqej nga ai, ndryshimi i shumëkërkuar do të vijë në familjet e Kosovës.

“Kosova nuk mund të ecë përpara kur familjet mezi e përballojnë muajin. Qytetarët kanë nevojë për një shtet që punon për mirëqenien e tyre, jo për propagandë e kriza të pafundme politike. Me qeverinë tonë, ndryshimi i shumëkërkuar do të vijë për çdo familje të Kosovës”, shkruan Hamza.