Ibrahimi: Komunat nuk do të lejojnë cenimin e të drejtës së vetëqeverisjes lokale

Këshilli i Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës ka marrë vendim që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Rregulloren e Qeverisë Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil.

Sipas përfaqësuesve të komunave, kjo rregullore cenon autonominë lokale dhe përbën ndërhyrje direkte në kompetencat kushtetuese të pushtetit lokal.

Lajmin e ka konfirmuar drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili ka theksuar se komunat nuk do të lejojnë cenimin e të drejtës së vetëqeverisjes lokale.

“E drejta e vetëqeverisjes lokale është kategori kushtetuese dhe garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale. Komunat ushtrojnë kompetencat e tyre vetanake, të zgjeruara dhe të deleguara përmes organeve përfaqësuese dhe në përputhje me parimet e decentralizimit dhe subsidiaritetit. Pushteti qendror ka të drejtë të ushtrojë vetëm kontrollin e ligjshmërisë ndaj akteve komunale, por jo të ndërhyjë në kompetencat kushtetuese dhe autonome të komunave. Çdo veprim që tejkalon këtë kufi përbën cenim të rendit kushtetues dhe të autonomisë lokale”, ka deklaruar ai.

Sipas Ibrahimit, rregullorja në fjalë centralizon procedurat e rekrutimit të stafit komunal dhe redukton autonominë funksionale të komunave.

“Në këtë frymë, Asociacioni i Komunave të Kosovës vlerëson se Rregullorja e Qeverisë Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil përfaqëson ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat e komunave, duke centralizuar procedurat e rekrutimit të stafit komunal dhe duke reduktuar autonominë funksionale të pushtetit lokal. Një qasje e tillë bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me parimin e subsidiaritetit dhe me standardet evropiane të vetëqeverisjes lokale”, ka shtuar ai.

Ai bëri të ditur se AKK-ja, në koordinim me komunat, do ta procedojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së rregullores, me synim mbrojtjen e autonomisë lokale dhe rendit kushtetues në vend. /eo