Haradinaj: Çmimi i lartë i rrymës po i godet bizneset, Kosovës i duhen urgjentisht kapacitete të reja energjetike

Pas vizitës në kompaninë “Artatex Group” në Pejë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka ngritur shqetësimin për barrën që kostoja e lartë e energjisë elektrike po ua shkakton bizneseve prodhuese në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj e cilësoi “Artatex Group” si storje suksesi të një biznesi familjar të udhëhequr nga Armend dhe Arber Mustafa, duke vlerësuar faktin se kompania punëson rreth 120 punëtorë, ku 95 për qind janë gra.

Sipas tij, biznese të tilla dëshmojnë se potenciali ekonomik i Kosovës qëndron te prodhimi vendor, te familjet që investojnë dhe te njerëzit që krijojnë vlerë çdo ditë në vend.

Megjithatë, Haradinaj tha se, sikurse shumica e bizneseve prodhuese, edhe “Artatex Group” po përballet me sfidën e kostos së lartë të energjisë elektrike, duke theksuar se varësia nga importi i rrymës dhe mungesa e investimeve në prodhimin vendor po e rëndojnë ekonominë e vendit.

Ai theksoi se për Aleancën energjia mbetet prioritet strategjik, duke kërkuar rritje urgjente të prodhimit vendor dhe investime në kapacitete të reja energjetike, me qëllim të furnizimit më të qëndrueshëm dhe me çmime më të përballueshme për bizneset kosovare.