Rama bën thirrje për pjesëmarrje në protestën e studentëve në Shkup për gjuhën shqipe

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur mbështetje për protestën e paralajmëruar në Shkup më 18 maj, ku studentët do të kërkojnë respektimin e të drejtave për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Rama ka theksuar se gjuha shqipe është e drejtë kushtetuese dhe pjesë e identitetit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke bërë thirrje për unitet dhe përkrahje ndaj studentëve.

Ai ka deklaruar se heshtja ndaj diskriminimit përbën bashkëfajësi dhe se të gjithë shqiptarët duhet të bashkohen për të kërkuar zbatimin e ligjit dhe respektimin e gjuhës shqipe.

“Më 18 maj, para Urës së Gurit në Shkup, studentët ngrihen për të mbrojtur dinjitetin, identitetin dhe të drejtën e tyre legjitime. Kjo nuk është vetëm një protestë studentore, por një kauzë kombëtare dhe demokratike”, ka shkruar Rama.

Në fund të reagimit të tij, ai ka shtuar se “aty ku mohohet gjuha, mohohet identiteti”, duke theksuar se Prishtina qëndron në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.