27-vjet pa Ukshin Hotin, shoku i qelisë kujton fjalët e fundit të profesorit
Sot janë bërë 27 vjet që kur veprimtari i çështjes kombëtare Ukshin Hoti u lirua nga burgu i Dubravës, dhe nga ajo ditë nuk dihet më për fatin e tij. Isak Shabani që ishte me të në një qeli burgu, tregon momentin e përshëndetjes me profesorin, dhe shpresat për që kishin për liri.
Në një intervistë për Teve1 ai tregon për personalitetin e profesor Hotit dhe ditët në me të në burg.
16 maji i 99-ës, u caktua dita kur Ukshin Hoti të lirohej nga Burgu i Dubravës.
Por ajo e diele të pazakontë pranvere, ishte edhe dita që kur veprimtari i çështjes kombëtare, do të shihej për herë të fundit.
Që nga ajo ditë, fati i profesorit nga Krusha e Rahovecit mbetet mister për vendin.
Dikush që ndau qelinë me të, kujton momentin kur Ukshin Hoti u përshëndet më shokët e burgut.
“Na ka thanë që shpresoj që së shpejti do të shihemi në liri së bashku e ta vazhdojmë rrugëtimin tonë për çka kemi hy në burgje e kemi sakrifikuar, vetëm në shërbim të qytetareve”, tregoi i burgosuri politik, Isak Shabani.
Lirimi i tij, Shabani thotë se i gëzoi shokët e burgut.
Por askush nuk e dinte për fatin që jashtë po e priste, Ukshin Hotin.
“Ne iu gëzuam fatit që së paku profesori po lirohet, gjithmonë duke menduar se ndonjë organizatë ndërkombëtare humanitare ka marr. Por siç duket aty kish qenë një organizim institucional i shtetit kriminal serb që ditën e diele me e tërheqë, sepse procedurat administrative kanë qenë që të burgosurit lirohen ose të premten ose të hënën, por profesorin e morën të dielën”, tha ai.
Isak Shabani që bashkë me Ukshin Hotin qenë në tri burgje, thotë se ky i fundit kishte një personalitet të pathyeshëm.
“Në burgun e Nishit kanë qenë dy kordona të gardianëve dhe kur kemi hy në mesin e tyre profesori nuk e ka ulë kokën fare, faktikisht as duart nuk i ka vënë mbi kokë për tu mbrojtur, dhe kanë përdor tortura të jashtëzakonshme ndaj tij, d.m.th e ka pasur një qëndrim që s’ka mundur askush ta thyej”.
Por aftësia e tij intelektuale, si profesor e veprimtar i çështjes kombëtare, thotë se kishin bërë që Ukshin Hoti të njihej mirë nga regjimi serb.
“Një personalitet i tillë ka qenë halë në sy për pushtetin e Serbisë. Kur ka filluar bombardimi i caqeve serbe, neve të gjithë të burgosurve na kanë vendosur në bodrumin e ndërtesës së burgut, dhe diku pas orës 2 të natës ka ardhur drejtori i burgut i cili ka qenë i partisë së Sheshelit dhe aty nuk ka mundur të përmbahet, dhe na ka than që tash e tutje do ta gëzoni lirinë, dhe ti profesor do të bëhesh ministër i punëve të jashtme”, tregoi i burgosuri politik.
Për fatin e tij, nuk dihet gjë as sot, teksa pyetja se “Ku është Ukshin Hoti?”, bëhet tash e 27 vjet pas përfundimit të luftës.