Kos shkruan pas takimit me Kurtin: Viti 2026 mund të jetë moment i mundësive evropiane për Kosovën

Komisionerja evropiane Marta Kos ka bërë të ditur se sot ka qëndruar në Prishtinë, ku është takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Përmes një postimi, Kos ka falënderuar për pritjen, duke theksuar se 88 për qind e qytetarëve të Kosovës besojnë në perspektivën evropiane të vendit.Ajo tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm t’i përgjigjet kësaj thirrjeje, duke intensifikuar nivelin e punës në çështjet ekonomike, në progresin demokratik dhe në reformat.

“2026 mund të jetë një moment i mundësive evropiane për Kosovën. Kjo kërkon që forcat politike të bashkohen dhe të gjejnë stabilitet të qëndrueshëm institucional”, ka shkruar Kos.