Takim i madh i biznesit shqiptar në Prishtinë, Jusaj: Diaspora të investojë më shumë në Kosovë
Biznesmenë të shumtë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në shtete të ndryshme të Evropës, së bashku me afaristë që biznesin e tyre e zhvillojnë në Kosovë, janë mbledhur të premten në Prishtinë, në një nga takimet më të mëdha ekonomike shqiptare të organizuara nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare.
Nën organizimin e kryetarit të Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, Omer Nura, si dhe biznesmenit të mirënjohur e filantropit Shkëlzen Jusaj, kryetar i degëve të Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare dhe organizatës KGS për Kosovë dhe Gjermani, salla e madhe e Hotel Emerald u mbush përplot me pjesëmarrës.
Interesimi i jashtëzakonshëm bëri që edhe hapësira e madhe e këtij hoteli të dukej e vogël për të pritur numrin e madh të biznesmenëve të pranishëm.
Thuajse për herë të parë pas një kohe të gjatë, në Prishtinë u bënë bashkë kaq shumë biznese nga Kosova dhe diaspora, me një qëllim të përbashkët: forcimin e bashkëpunimit ekonomik, krijimin e lidhjeve të reja afariste dhe rritjen e biznesit shqiptar në tregjet vendore dhe ndërkombëtare.
Ky takim po shihet si një mundësi e rëndësishme për bashkimin e kapitalit, përvojës dhe rrjeteve të biznesmenëve shqiptarë kudo që veprojnë, duke e kthyer Kosovën në një pikë të rëndësishme të lidhjes mes diasporës dhe tregut vendor.
Pjesëmarrja masive dhe atmosfera e krijuar në këtë ngjarje dëshmuan se bizneset shqiptare kanë potencial të madh për bashkëpunim, zhvillim dhe zgjerim përtej kufijve.
Jusaj, diaspora shqiptare ka qenë gjithmonë pranë Kosovës
Në fjalën e tij, filantropi dhe biznesmeni i njohur Shkëlzen Jusaj, kryetar i degëve të Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare dhe i organizatës KGS për Kosovë dhe Gjermani, vlerësoi lart rolin historik të diasporës shqiptare në çdo etapë të shtetndërtimit të Kosovës.
Jusaj tha se diaspora shqiptare ka qenë gjithmonë pranë Kosovës, jo vetëm në periudhat më të vështira, por edhe në proceset e zhvillimit, rimëkëmbjes dhe forcimit ekonomik të vendit. Sipas tij, kontributi i mërgatës nuk ka qenë vetëm financiar, por edhe moral, profesional dhe strategjik, duke ndihmuar Kosovën të ecë përpara në momente vendimtare.
Ai theksoi se, përkundër sfidave të shumta me të cilat janë përballur ndër vite, bizneset kosovare nuk janë dorëzuar asnjëherë. Përkundrazi, ato kanë treguar qëndrueshmëri, guxim dhe vizion, duke krijuar vende pune, duke mbështetur familje dhe duke ndërtuar gradualisht një ekonomi më të qëndrueshme për vendin.
Biznesmeni Jusaj u bëri thirrje bizneseve shqiptare në diasporë që të investojnë sa më shumë në Kosovë dhe ta shohin vendin si hapësirë reale për zhvillim, partneritet dhe mundësi të reja ekonomike.Ai apeloi po ashtu që të rritet bashkëpunimi ndërmjet bizneseve të diasporës dhe prodhuesve vendorë, në mënyrë që produktet kosovare të depërtojnë më fuqishëm në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare.
Sipas Jusajt, lidhja mes kapitalit të diasporës, përvojës ndërkombëtare dhe potencialit vendor është një mundësi e madhe për Kosovën.
Ai theksoi se vetëm përmes bashkëpunimit të sinqertë, investimeve të qëndrueshme dhe përkrahjes së prodhimit vendor mund të forcohet edhe më shumë ekonomia e Kosovës dhe të krijohen perspektiva më të mira për gjeneratat e reja.
Nura, ky rrjet ka arritur të shndërrohet në një platformë të rëndësishme bashkëpunimi ekonomi
Omer Nura, kryetar i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, në fjalën e tij vlerësoi lart angazhimin e bizneseve shqiptare nga diaspora dhe nga Kosova, duke theksuar se suksesi i këtij rrjeti nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin, mbështetjen dhe pjesëmarrjen aktive të tyre.
Ai tha se Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare është ndërtuar mbi besimin, bashkëpunimin dhe vullnetin e përbashkët të afaristëve shqiptarë për ta fuqizuar ekonominë shqiptare kudo që veprojnë.Sipas Nurës, ky rrjet sot ka arritur të shndërrohet në një platformë të rëndësishme bashkëpunimi ekonomik, falë angazhimit të vazhdueshëm të bizneseve që kanë besuar në këtë mision dhe kanë kontribuar në rritjen e tij.
“Pa angazhimin tuaj, pa përkrahjen tuaj dhe pa besimin që keni treguar ndaj këtij rrjeti, ne nuk do ta kishim suksesin që e kemi sot”, ka thënë Nura para të pranishmëve.
Ai falënderoi të gjitha bizneset pjesëmarrëse për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe numrin e madh të afaristëve që iu bashkuan këtij takimi të rëndësishëm në Prishtinë.
Nura theksoi se pjesëmarrja masive në këtë ngjarje është dëshmi e qartë se bizneset shqiptare kanë interes të madh për bashkëpunim, investime dhe lidhje më të forta mes diasporës dhe Kosovës.
Ai shtoi se qëllimi kryesor i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare është krijimi i urave të reja të bashkëpunimit, hapja e mundësive për partneritete konkrete dhe forcimi i rolit të biznesit shqiptar në zhvillimin ekonomik të vendit.
Kusari: Jam këtu për të treguar gatishmërinë tonë që të jemi pranë bizneseve
Përveç bizneseve, në këtë takim të rëndësishëm morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës, si dhe përfaqësues e liderë të partive politike që veprojnë në vendin tonë.
Mimoza Kusari, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, tha se prania e saj në këtë ngjarje është dëshmi e gatishmërisë institucionale për të qenë sa më afër bizneseve dhe për të ndërtuar politika progresive që i mbështesin ato.“Jam këtu për të treguar gatishmërinë tonë që të jemi pranë bizneseve tona, të dëgjojmë nevojat e tyre dhe të avancojmë politika që krijojnë mundësi më të mëdha për zhvillim ekonomik”, ka thënë Kusari.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë këtij takimi ka bashkëbiseduar me përfaqësues të bizneseve për sfidat me të cilat përballet sektori privat, mundësitë për zhvillim ekonomik dhe rëndësinë e krijimit të një klime më të favorshme për investime në vend.
Në fokus të diskutimit ishte edhe roli i diasporës shqiptare, e cila u vlerësua si një forcë e jashtëzakonshme ekonomike dhe si urë e rëndësishme për lidhjen e Kosovës me tregjet evropiane.
Haradinaj, bizneset janë motori kryesor i zhvillimit të vendit
Haradinaj theksoi se bizneset janë motori kryesor i zhvillimit të vendit, pasi përmes punës, investimeve dhe guximit sipërmarrës krijojnë vende pune, mbajnë familje dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në forcimin e ekonomisë së Kosovës.Ai tha se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e sheh sektorin privat si partner kyç të shtetit, duke shtuar se Kosova nuk mund të ndërtojë një të ardhme të sigurt pa ekonomi të fuqishme, pa prodhim vendor dhe pa mbështetje konkrete për ndërmarrësit.
Sipas Haradinajt, institucionet duhet të jenë më afër bizneseve, të largojnë barrierat burokratike dhe të krijojnë kushte që kapitali vendor dhe ai i diasporës të investohen më lehtë në Kosovë. / Front Online