Lazim Destani: Konferenca Ekonomike B2B në Prishtinë, urë lidhëse për bizneset shqiptare
Në Prishtinë është mbajtur Konferenca Ekonomike B2B, e organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare, ku morën pjesë qindra përfaqësues biznesesh, investitorë dhe sipërmarrës shqiptarë nga trojet shqiptare dhe diaspora.
Konferenca kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet bizneseve shqiptare, krijimin e partneriteteve të reja, zgjerimin e investimeve strategjike dhe rritjen e rrjetëzimit në mes të kompanive pjesëmarrëse.
Gjatë aktivitetit u diskutua për mundësitë e zhvillimit ekonomik, promovimin e investimeve dhe fuqizimin e rolit të diasporës në ekonominë shqiptare. Në hapjen e konferencës mori pjesë edhe biznesmeni dhe filantropi Lazim Destani, i cili e vlerësoi këtë organizim si një platformë të rëndësishme për lidhjen dhe bashkëpunimin e bizneseve shqiptare.
Biznesmeni dhe filantropi Lazim Destani, përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se ishte kënaqësi pjesëmarrja në hapjen e Konferencës Ekonomike B2B, e organizuar nga drejtuesit e Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare.
Ai e cilësoi konferencën në Prishtinë si një pikë të rëndësishme takimi për qindra biznese shqiptare nga trojet shqiptare dhe diaspora, raporton Zeri.info.
Sipas Destanit, konferenca kishte në fokus krijimin e lidhjeve të reja ekonomike, bashkëpunimet konkrete, investimet strategjike, si dhe forcimin e rrjetëzimit ndërmjet bizneseve shqiptare.
Postimi i plotë:
Ishte nder dhe kënaqësi pjesëmarrja në hapjen e Konferencës Ekonomike B2B, organizuar nga drejtuesit e Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare. Kjo konferencë në Prishtinë ishte një pikë takimi për qindra biznese shqiptare nga trojet tona e nga diaspora.
Konferenca kishte në fokus krijimin e lidhjeve të reja ekonomike, bashkëpunime konkrete, investimet strategjike, si dhe forcimin e rrjetëzimit mes bizneseve shqiptare.