Zyra për Mbrojtje të Viktimave: Rritet numri i rasteve të dhunës në familje
Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave (ZMNV) ka bërë të ditur se gjatë periudhës njëjavore të punës, nga 08.05.2026 deri më 15.05.2026, mbrojtësit e viktimave në nivel të Kosovës kanë trajtuar gjithsej 43 raste të reja.
Sipas të dhënave zyrtare, pjesa më e madhe e rasteve lidhet me dhunën në familje, ndërsa janë evidentuar edhe raste të tjera të natyrave të ndryshme penale.
Nga 43 rastet e trajtuara, 40 janë raste të dhunës në familje, dy raste të tentim vrasjes, si dhe një rast i shkeljes së urdhrit mbrojtës.
Në kuadër të punës së institucioneve kompetente, janë parashtruar 7 kërkesa për Urdhër Mbrojtje (KUM) në gjykatë dhe 10 kërkesa për Urdhër Mbrojtje Emergjente (KUME). Po ashtu, janë regjistruar 2 kërkesa për ndërprerje të urdhrit mbrojtës dhe 1 kërkesë për ndryshimin e tij, si dhe dy aktvendime të refuzuara.
Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar edhe dy kërkesa për kompensim nga fondi i viktimave, 6 përpilime të parashtresave të ndryshme, si dhe 56 seanca gjyqësore dhe 15 seanca në prokurori.
Në aspektin e asistencës juridike, janë dhënë 49 këshilla juridike, ndërsa janë regjistruar pesë aktgjykime dënuese, dy aktgjykime refuzuese dhe 1 aktgjykim lirues.
Po ashtu, janë realizuar tri përfaqësime të rasteve në polici dhe pesë referime të rasteve në Qendrën për Punë Sociale (QPS).