Rizvanolli: Reduktimet e energjisë nuk janë përgjegjësi direkte e Qeverisë, situata në Ferizaj pritet të sanohet më 20 maj

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka folur për reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë dhe përgjegjësitë institucionale lidhur me menaxhimin e sistemit energjetik.

Ajo tha se Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria nuk kanë kompetenca të drejtpërdrejta në mbikëqyrjen e operatorëve, por se institucionet përkatëse duhet të informojnë qytetarët për çdo ndërprerje.

“Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria janë organe të cilat bëjnë politikat, hartojnë ligjet, mirëpo nuk kanë kompetenca në mbikëqyrjen e operatorëve. Megjithatë, dua të cek se vlerësimi i juaj fillestar për reduktime në gjithë vendin duket se është pak i tepruar. Sa i përket çështjeve specifike në komuna specifike, është detyrë e operatorëve që të informojnë qytetarët në raste kur ka ndërprerje, për arsyet e ndërprerjes dhe kohëzgjatjen, ndërsa mbikëqyrës i tregut është Zyra e Rregullatorit për Energji. Unë çfarë mund të them, një informacion që ndoshta nuk e kanë mjaftueshëm qytetarët, është që një prishje e madhe që ka ndodhur në nënstacionin, një nga nënstacionet kryesore të Ferizajt para rreth tre muajsh, e di që ka shkaktuar probleme të mëdha atje dhe KEDS-i na ka mbajtur të informuar edhe qytetarët edhe neve, që nga fillimi i kësaj prishje kanë bërë maksimumin për ta sanuar situatën dhe sipas informatave të fundit që i kam unë nga KEDS, pritet që situata të sanohet me 20 maj. Ndërsa për çështjet e tjera dhe komunat e tjera specifike, këto janë çështje të cilat duhet të drejtohen tek organet kompetente dhe operatorët kompetentë“, tha ajo. /eo