Qeveria miraton vendimin për shpronësimin e pronave për nevojat e navigacionit ajror

Në mbledhjen e sotme, Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin përfundimtar për shpronësimin, në interes publik, të pronave të paluajtshme ish-shoqërore për nevojat e Ofruesit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Republikës së Kosovës.

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli tha se ky projekt përfshin disa zona kadastrale në komuna të ndryshme të vendit dhe ka për qëllim zhvillimin e infrastrukturës së navigacionit ajror.

“I nderuar kryeministër, të nderuar ministra, unë po propozoj vendimin për miratimin e vendimit përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme, pra ish-shoqërore, për nevojat e Ofruesit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Republikës së Kosovës. Ky projekt përfshin zonat kadastrale Vrellë e Goleshit dhe Mirenë në komunën e Lipjanit, Zatriq në komunën e Rahovecit, Mramor në komunën e Prishtinës dhe Bajgorë në komunën e Mitrovicës së Jugut. Qëllimi i këtij vendimi është krijimi i kushteve për zhvillimin dhe funksionalizimin e infrastrukturës së navigacionit ajror, që ndërlidhet drejtpërdrejt me sigurinë ajrore, modernizimin e shërbimeve dhe avancimin e kapaciteteve strategjike të Republikës së Kosovës. Andaj kërkoj mbështetjen për miratimin e këtij vendimi”, tha ajo.