Rama: Protokolli me Italinë do të jetë për aq kohë sa Roma ta dëshirojë

Kryeministri Edi Rama, reagoi sot ndaj raportimeve të disa medieve në lidhje me një deklaratë të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, për mundësinë e rinovimit të protokollit me Italinë “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare.

Rama theksoi se, marrëveshja mes dy vendeve do të jetë në fuqi për sa kohë që Italia ta dëshirojë, teksa sqaroi se nuk ka asnjë ndryshim të qëndrimit të qeverisë shqiptare ndaj protokollit.

“Të gjithë gazetarëve nga Italia dhe më gjerë, të cilët po kontaktojnë lidhur me një citim të shtrembëruar të raportuar nga një media pas një interviste me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë: Më lejoni ta ritheksoj, qartë dhe shpresoj njëherë e përgjithmonë, se Protokolli ynë me Italinë është këtu për të qëndruar, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë reagoi pas një interviste të ministrit Hoxha për “Euractiv”, ku ai u pyet nëse protokolli mes Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare.

Sipas Hoxhës, ai ishte përgjigjur duke thënë se “nuk jam i sigurt”, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria mund të jetë bërë anëtare e Bashkimit Evropian dhe situata do të ishte ndryshe.

Ministri sqaroi se deklarata e tij nuk përfaqësonte një vendim apo ndryshim politikash, por vetëm një reflektim të momentit.