Sergio Ramos blen përfundimisht gjigantin e La Ligës

Sergio Ramos dhe fondi i tij i investimeve Five Eleven Capital kanë arritur një marrëveshje për të blerë klubin e futbollit Sevilla, me lajmin që u njoftua nga gazetari Victor Fernandez pas një takimi të mbajtur sot (e martë) në mëngjes.

Sipas informacionit të disponueshëm, vlera e marrëveshjes për 80 për qind të aksioneve të klubit është rreth 450 milionë euro. Ramos dëshiron që i gjithë procesi të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që ai të marrë përsipër menaxhimin e klubit.

Të hënën në mbrëmje, gazetari Fernandez raportoi për optimizmin e madh të palëve të përfshira dhe njoftoi se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare ishte çështje orësh, gjë që përfundimisht u konfirmua.

Lajmi për shitjen e klubit vjen në një kohë shumë të ndjeshme për Sevillan, e cila po lufton për të qëndruar në ligën e parë.

Klubi beson se 40 pikët e tyre aktuale nuk i garantojnë mbijetesën dhe se "u duhet edhe një fitore" për të siguruar statusin e tyre në ligën e parë.

Me tre xhiro të mbetura, tabela është aq e ngushtë sa skuadra e shtatë dhe e tetëmbëdhjetë në ligë janë vetëm nëntë pikë larg.

Sevilla do të ketë shansin e parë për të bërë një hap të ri drejt mbijetesës këtë fundjavë kundër Villarealit. /telegrafi