Rama: Izraeli u soll si mik, na ofroi ndihmë pas sulmeve kibernetike të Iranit - për hebrenjtë vendi ynë është shtëpi
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në samitin Shqipëri - Izrael që bëri bashkë 40 kompani inovative për të garantuar sigurinë kibernetike dhe për të forcuar ekonominë e Shqipërisë përmes teknologjisë së fjalës së fundit.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, ndërsa u ndal edhe tek sulmet kibernetike iraniane. Rama tha se regjimi iranian reagoi kundër strehimit të mijëra iranianëve të opozitës nga Tirana zyrtare, duke sulmuar infrastrukturën digjitale shqiptare.
Kreu i qeverisë theksoi se Izraeli u soll si një mik dhe ndihmoi pas sulmeve të Iranit. Po ashtu kryeministri theksoi se në Shqipëri nuk ka antisemitizëm, ndërsa shtoi se vendi ynë do të mbetet një shtëpi për hebrenjtë.
“Izraeli është shembulli më i jashtëzakonshëm se ç’dallim mund të bëhet bazuar në dije dhe jo në burime. Ne besojmë fort te kjo marrëdhënie dhe kemi arsye për këtë. Jo vetëm për shkak të historisë sonë, që është një histori e lidhjes së krijuar në kohët më të errëta për popullin hebre, kur Shqipëria doli nga Lufta e Dytë Botërore si vendi i vetëm në Europë që numëronte më shumë hebrenj sesa përpara se të niste lufta. Kjo, së pari, falë myslimanëve të Shqipërisë, të cilët morën çdo hebre si vëlla e motër dhe vunë jetët në rrezik për të mbrojtur hebrenjtë.
Kjo është një histori që e shtrëngojmë fort dhe ne po përpiqemi t’ia rrëfejmë brezit të ri, jo për hir të hebrenjve, por për hirin tonë. Për mënyrën se si duhet të shfaqemi për botën ku jetojmë dhe si duhet të përgatitemi për atë çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, jo vetëm për hebrenjtë, por edhe për të tjerët.
Ne u hapëm derën disa mijëra iranianëve që janë në opozitë dhe nuk e bëmë për shkak të një motivi politik; e bëmë sepse jetët e tyre ishin në rrezik dhe askush nuk donte t’i shpëtonte. Ne iu hapëm dyert, iu dhamë strehë dhe bëmë një marrëveshje, të cilën e kemi ende, që ata mund të jetojnë në Shqipëri, të rrisin fëmijët e tyre në Shqipëri jashtë çdo rreziku dhe për aq kohë sa është e nevojshme.
Kjo erdhi me hakmarrje nga regjimi iranian, që nuk e duronte dot këtë gjë dhe na sulmoi. Sulmoi atë që kishim ndërtuar pa reshtur për vite të tëra për të transformuar shërbimet tona publike. Izraeli u soll si mik dhe na ofroi ndihmë”, tha Rama.