Agim Veliu refuzon të jetë kandidat për deputet të LDK-së
Agim Veliu ka refuzuar të jetë pjesë e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit, duke e bërë të ditur vendimin përmes një deklarate publike drejtuar anëtarëve të partisë.
“Të dashur anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ndjej obligim moral, njerëzor dhe politik t’ju falënderoj secilin prej jush për besimin, sakrificën dhe qëndrueshmërinë që i keni dhënë LDK-së ndër vite. Kësaj radhe nuk dua të flas për rrugëtimin tonë të përbashkët politik për më shumë se tri dekada e gjysmë. As për sfidat dhe sukseset e mëdha të bastionit të pathyeshëm të LDK-së dhe rugovizmit në Llap, deri para pesë vitesh”, ka deklaruar Veliu.
“Nuk dua të flas kronologjikisht as për goditjet ndaj meje dhe vetë degës në Podujevë në vitet e fundit nga lidershipi aktual i LDK-së, që erdhi në parti për ta administruar, jo për ta zhvilluar. Nuk dua t’ua sjell në kujtesë as papërgjegjësinë e lidershipit që prodhoi përçarje të madhe dhe polarizim të skajshëm të anëtarësisë, e as humbjet e njëpasnjëshme zgjedhore dhe rënien drastike të elektoratit në Llap e kudo në Kosovë”, ka shtuar ai.
Ai ka theksuar se aktualisht në parti po promovohet një “Bashkim i madh”, i cili sipas tij përfshin figura që më herët janë anashkaluar.
“Dua të ndalem te momentumi aktual partiak, që po promovohet si ‘Bashkimi i madh’, e që çuditërisht po përfshinë të gjithë ata që u anatemuan dhe eliminuan nga lidershipi aktual: pra të mënjanuarit, të diferencuarit dhe të padëshiruarit u bënë të dëshiruar”, ka deklaruar Veliu.
Ai ka shtuar se më herët kishte shprehur gatishmëri për kandidim, por kjo nuk ishte marrë në shqyrtim nga strukturat e partisë.
“Nuk di në cilën kategori të ‘Bashkimit të madh’ bëj pjesë unë, por e di që para zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, publikisht pata shprehur vullnetin të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë… por kryesia e Degës kishte refuzuar edhe ta nxjerrë në diskutim kandidaturën time”, ka thënë ai.
Në fund, Veliu ka bërë të ditur vendimin e tij përfundimtar.
“Pikërisht për këto arsye, me respektin më të thellë për anëtarësinë e ndershme të LDK-së, deklaroj publikisht se refuzoj të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit. Unë nuk largohem nga LDK-ja, por refuzoj të përdorem dhe të jem pjesë e një projekti që e largon partinë nga identiteti i saj”, ka deklaruar Veliu.
“Jam i bindur se LDK do të çlirohet nga mentaliteti i OJQ-izimit politik dhe do të rikthehet në rolin e saj historik si forcë shtetformuese. LDK është më e madhe se interesat meskine të dy njerëzve. Zoti e ruajt LDK-në!”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, Agim Veliu nuk ishte përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë të LDK-së në dy proceset zgjedhore të mbajtura gjatë vitit 2025. Ndërsa sot Dega kësaj partie në Podujevë ka nominuar atë si kandidat për deputet.