Mbyllet për qarkullim rruga Mirash - Bardh për disa ditë, për shkak të punimeve
Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se nga dita e hënë do të mbyllet përkohësisht për qarkullim aksi rrugor Mirash – Bardh dhe anasjelltas, për shkak të nisjes së punimeve të asfaltimit në këtë segment rrugor.
Sipas njoftimit të publikuar nga KEK-u, punimet po zhvillohen pas përfundimit të fazës bazike me zhavorr në një gjatësi prej rreth 6.3 kilometrash.
“Për disa ditë me radhë, qarkullimi do të ndalohet në të dy drejtimet për të gjitha automjetet, përfshirë ato të KEK-ut, autobusët e transportit të punëtorëve dhe automjetet e qytetarëve”.
Nga korporata kanë bërë të ditur se publiku do të informohet me kohë sapo të krijohen kushtet për rikthimin e sigurt të trafikut në këtë aks rrugor.
Ndërkohë, qytetarëve u është rekomanduar të përdorin rrugë alternative për të shmangur vonesat dhe për të mundësuar zhvillimin e papenguar të punimeve.