Muja: Qumështi pluhur dhe vaji i palmës po godasin fermerët

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja ka deklaruar se sektori i qumështit në Kosovë po përballet me presione të jashtme dhe me zëvendësimin e yndyrave shtazore me yndyra bimore, vaj palme dhe qumësht pluhur.

Pas protestës së fermerëve në Drenas për uljen e çmimit të qumështit, Muja tha se institucionet kanë identifikuar zhvillime shqetësuese në treg.

“Sektori i qumështit është duke u përballur me presione të jashtme. Zakonisht tendenca është për ta ndryshuar përbërjen yndyrore, yndyrat shtazore me yndyrat bimore. Ajo çfarë më herët është nxjerrë nga qumështi për të prodhuar yndyrë shtazore, ka një tendencë që ajo të zëvendësohet me yndyrë bimore, me vaj palme edhe me qumësht pluhur”, deklaroi Muja.

Ai shtoi se importi i qumështit pluhur është rritur paralelisht me rënien e fuqisë blerëse ndaj fermerëve vendorë.

“Importi i qumështit pluhur është rritë korrespodent me rënien e fuqisë blerëse të fermerëve”, u shpreh ai.

Sipas Mujës, ulja e çmimit të qumështit për fermerët ka qenë e koordinuar, ndërsa konsumatorët nuk kanë përfituar ulje në treg.

“Kostoja ka shkuar te fermeri, por marzha ka shkuar te përpunuesit e qumështit edhe te supermarketet”, deklaroi Muja./rtk