Dua Lipa flet për fuqinë e letërsisë në 10-vjetorin e International Booker Prize

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa ishte pjesë e ceremonisë së 10-vjetorit të International Booker Prize, ku mbajti fjalimin hapës në një mbrëmje kushtuar letërsisë dhe përkthimit letrar.

Artistja ndau momente nga eventi në rrjetet sociale, duke e cilësuar si një nder të fliste për librat dhe letërsinë e përkthyer përpara shkrimtarëve, përkthyesve, anëtarëve të jurisë dhe dashamirësve të letërsisë.

“Nuk ka vërtet asgjë si një libër për të kuptuar këndvështrimin e të tjerëve, ndërsa letërsia e përkthyer e çon këtë përvojë edhe më tej”, u shpreh Dua Lipa gjatë fjalimit të saj.

Ajo falënderoi organizatorët për ftesën, duke theksuar rëndësinë që ka letërsia ndërkombëtare në krijimin e urave mes kulturave dhe gjuhëve të ndryshme.

International Booker Prize konsiderohet një nga çmimet më prestigjioze në botën e letërsisë, duke vlerësuar veprat e përkthyera në gjuhën angleze dhe rolin e përkthyesve në sjelljen e zërave letrarë nga vende të ndryshme të botës./kultplus

 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by DUA LIPA (@dualipa)