KOMF thirrje urgjente prindërve për vaksinimin e fëmijëve pas paraqitjes së rasteve me fruth

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF ka shprehur shqetësim për paraqitjen e rasteve të sëmundjes së fruthit tek fëmijët gjatë javëve të fundit, duke u bërë thirrje urgjente prindërve që të vaksinojnë fëmijët sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit.

Sipas të dhënave të institucioneve shëndetësore, janë identifikuar 10 raste të fëmijëve të prekur nga fruthi, ndërsa të gjithë fëmijët e infektuar kanë qenë të pavaksinuar.

KOMF ka vlerësuar si shqetësuese edhe rënien e mbulueshmërisë me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubella, në grupmoshën 12 deri në 24 muaj, duke paralajmëruar se kjo rrit rrezikun për shpërthime të sëmundjeve të parandalueshme me vaksinë.

“Vaksinimi i fëmijëve është obligim ligjor i prindërve dhe lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e shëndetit të fëmijës”, thuhet në reagimin e KOMF-it.

Sipas tyre, vaksinat mbeten mjeti më efektiv për parandalimin e sëmundjeve të rrezikshme, duke theksuar se ato janë të testuara shkencërisht, të sigurta dhe të miratuara nga institucionet relevante shëndetësore ndërkombëtare.

KOMF u ka bërë thirrje prindërve që të mos bien pre e dezinformatave dhe informacioneve të pasakta që qarkullojnë në hapësirat publike dhe online, ndërsa për çdo paqartësi të konsultohen me profesionistët shëndetësorë në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Njëkohësisht, organizata ka kërkuar nga institucionet shëndetësore që të intensifikojnë identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar dhe vaksinimin në komunitet, përfshirë edhe aktivitetet “derë më derë”.

KOMF ka theksuar nevojën për reagim të koordinuar institucional dhe për fushata të vazhdueshme vetëdijesuese, me qëllim rritjen e mbulueshmërisë së vaksinimit dhe mbrojtjen efektive të shëndetit të fëmijëve./Zëri