“70-vjetori i pullës Evropa”, emisioni i ri i pullave postare në Kosovë

Posta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim postar emisionin e ri të pullave me temën “Evropa”, të titulluar “70-vjetori i pullës Evropa”.

Ky emision shënon një përvjetor të rëndësishëm në historinë e bashkëpunimit filatelik evropian. Pulla EVROPA është emetuar për herë të parë në vitin 1956 nga gjashtë shtete evropiane dhe është shndërruar në simbol të unitetit, paqes dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve të kontinentit.

Për shtatë dekada, këto pulla kanë pasqyruar vlerat e përbashkëta evropiane, duke bashkuar kulturën, historinë dhe identitetin e vendeve pjesëmarrëse përmes artit filatelik.

Emisioni përfshin dy pulla postare, një bllok filatelik dhe Zarfin e Ditës së Parë, dhe do të jetë në qarkullim deri në konsumimin e plotë.

"Posta e Kosovës fton koleksionistët dhe qytetarët që të bëhen pjesë e këtij përvjetori të rëndësishëm duke pasuruar koleksionet e tyre me këtë emision të veçantë", thuhet në njoftimin e institucionit.