Bakteret e zorrëve mund të ndihmojnë në ruajtjen e forcës muskulare gjatë plakjes
Shkencëtarët po zbulojnë gjithnjë e më shumë se bakteret që jetojnë në zorrët tona luajnë rol të rëndësishëm jo vetëm në tretje, por edhe në shëndetin e përgjithshëm të organizmit.
Një studim i ri sugjeron se mikrobet e zorrëve mund të ndikojnë edhe në forcën muskulore, një faktor kyç për ruajtjen e pavarësisë dhe lëvizshmërisë në moshë të shtyrë, shkruan burimi Independent UK transmeton Gazeta Shneta.
Forca e muskujve është thelbësore për shëndetin e kockave, nyjeve dhe metabolizmit. Me kalimin e viteve, dobësimi gradual i muskujve rrit rrezikun e rrëzimeve dhe vështirëson aktivitetet e përditshme. Për këtë arsye, studiuesit po kërkojnë mënyra të reja për të ngadalësuar këtë proces.
Në studimin e fundit, ekspertët analizuan bakteret e zorrëve tek të rinj dhe të moshuarit. Ata zbuluan se një bakter i quajtur Roseburia inulinivorans lidhej me performancë më të mirë të muskujve dhe forcë më të madhe fizike.
Personat me nivele më të larta të këtij bakteri kishin rezultate më të mira në testet e forcës së duarve.
Eksperimente të mëtejshme tek minjtë treguan se ky bakter mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin dhe energjinë e muskujve. Minjtë që morën bakterin zhvilluan fibra muskulore më të fuqishme dhe forcë më të madhe.
Shkencëtarët besojnë se në të ardhmen ky bakter mund të përdoret si probiotik për të ndihmuar njerëzit të ruajnë masën dhe forcën muskulore gjatë plakjes.
Megjithatë, ata theksojnë se dieta mbetet mënyra më e mirë për të mbështetur mikrobiomën e zorrëve.
Ushqimet e pasura me fibra si qepa, hudhra, preshi dhe shpargu ndihmojnë në rritjen e baktereve të dobishme.
Ekspertët rekomandojnë gjithashtu aktivitet fizik të rregullt dhe ushtrime për forcimin e muskujve si mënyra më efektive për një plakje të shëndetshme. /Gazeta Shneta