MINTI gjobit KEDS-in edhe me 35 mijë euro pas verifikimit të njehsorëve elektrikë
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se, pas verifikimeve laboratorike të kryera nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, ndaj KEDS-it është shqiptuar një gjobë në vlerë prej 35 mijë eurosh.
Sipas njoftimit, Komisioni Verifikues për njehsorët elektrikë, i themeluar nga MINTI, ka kryer verifikimin laboratorik të 16 njehsorëve elektrikë të konsumatorëve që kishin paraqitur ankesa, ku janë konstatuar një sërë parregullsish.
Nga rezultatet e verifikimit është konstatuar se në gjashtë raste njehsorët elektrikë kishin afat të skaduar të verifikimit, ndërsa në gjashtë raste të tjera janë evidentuar devijime në orë dhe datë. Po ashtu, në një rast është konstatuar heqja e miratimit të tipit të njehsorit elektrik, ndërsa tre njehsorë të tjerë mbeten ende në procedurë të verifikimit laboratorik.
Bazuar në këto gjetje, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka shqiptuar gjobën ndaj KEDS-it.
MINTI dhe AMK-ja kanë bërë të ditur se verifikimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të funksionimit të rregullt të njehsorëve elektrikë.
Ndërkaq, konsumatorët që posedojnë dëshmi lidhur me funksionimin e njehsorëve elektrikë mund të vazhdojnë të adresojnë ankesat përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në Viber, si dhe përmes adresës elektronike konsumatori@rks-gov.net. /Zëri