Tetë raste me fruth, bie numri i të vaksinuarve

Në gjendje të rënduar shëndetësore pas simptomave u hospitalizuan në repartin D.

Tetë pacientë me fruth u trajtuan në Klinikën Infektive përgjatë javëve të fundit.

Të pavaksinuar kundër këtij infeksioni, një nga ta qe në rrezik për jetën, andaj qëndroi në mjekimin intensiv.

Për rastet foli drejtoresha e klinikës, Vera Berisha-Ndrejaj.

“Deri më tani janë të konfirmuara gjithsej 8 raste në klinikë, janë trajtuar që të gjithë natyrisht në fillim kanë mujt mos me ardh drejt këtu sepse fillimisht janë drejtuar në pediatri por tani janë hospitalizuar këtu”, ka thënë Berisha-Ndrejaj.

Tutje drejtoresha bëri të ditur se pacientët kanë qenë në gjendje të rëndë.

“Rastet të cilat i kemi pas të hospitalizuara kanë qenë forma të moderuara të rënda madje një prej tyre ka fituar komplikime shumë të rënda duke kërkuar ndihmë dhe trajtim në intensiv të gjitha rastet kanë qenë të pavaksinuara”, ka shtuar ajo.

Që ka rënë numri i fëmijëve që po vaksinohen kundër morbillës, siç njihet ndryshe fruthi, e tha edhe specialisti i mjekësisë familjare, Rushit Ismajli.

“Për fat të keq kemi pas një rënie të numrit të personave që i kanë vaksinuar fëmijët e tyre edhe ka pas raste që janë raportuar rastet e fruthit aktiv kjo për shkak të keqinformimit që ka ndodhur”, ka thënë Ismajli.

Ismajli tregoi se vazhdimisht po u bëjnë thirrje prindërve t’i imunizojnë të vegjlit kundër kësaj sëmundjeje.

“Unë bëj thirrje që ta marrin këtë vaksinë sepse edhe ajo lidhshmëria që është bërë që gjoja shkaktohet autizimi është vërtetuar që nuk ekziston dhe është mirë që të bazohen në fakte”, ka shtuar ai.

E, nga Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike treguan numrin e fëmijëve që s’u vaksinuan kundër këtij infeksioni.

“Në vitin 2025, mbulueshmëria me vaksinën MMR (fruth, shytat dhe rubellë) është 82%, që konsiderohet më e ulët se niveli i rekomanduar (95%) për mbrojtje kolektive të popullatës. Doza e parë jepet në moshën 12 muajshe. Doza e dytë jepet sipas kalendarit rregullt të vaksinimit, para fillimit të shkollës (5-6 vjeç)”.

Ndërkohë, qendrat e vaksinimit po telefonojnë vazhdimisht prindërit që t’i sjellin fëmijët për imunizim kundër fruthit. /dukagjini