Rreziku i “murtajës” moderne – çfarë është hantavirusi?

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë më shumë informacione këtë jave mbi hantavirusin, duke shpjeguar se kjo sëmundje vjen nga një familje virusesh që mbarten nga brejtësit e egër dhe minjtë e fushave pa u shkaktuar këtyre specieve sëmundje. Sëmundjet e shkaktuara nga hantavirusi mund të jenë fatale për njeriun duke prekur kryesisht sistemin respitator ose veshkat.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në kontinentin amerikan hantaviruest mund të çojnë në Sindromën Pulmonare nga Hantavirusi (HPS), një sëmundje serioze e mushkërive, ndërsa në Evropë dhe Azi ato lidhen më shpesh me Ethet Hemorragjike me Sindromë Renale e cila prek veshkat.

Transmetimi te njerëzit ndodh kryesisht përmes thithjes së grimcave të kontaminuara me urinën, feçet ose pështymën e brejtësve të infektuar, veçanërisht kur këto materiale shqetësohen gjatë pastrimit të ambienteve të mbyllura. Më rrallë, infeksioni mund të ndodhë edhe nga kontakti direkt me këto materiale ose përmes kafshimit të një brejtësi.

Simptomat zakonisht shfaqen 1 deri në 8 javë pas ekspozimit ndaj virusit dhe fillojnë me ethe, lodhje, dhimbje muskujsh, dhimbje koke dhe marramendje. Në raste të rënda, sëmundja mund të përparojë në vështirësi të theksuara në frymëmarrje dhe grumbullim të lëngjeve në mushkëri, gjendje që mund të jetë kërcënuese për jetën.

Aktualisht nuk ekziston trajtim specifik për hantaviruset. OBSH-ja thekson se kujdesi i hershëm mjekësor dhe trajtimi mbështetës në spital janë thelbësorë për përmirësimin e gjendjes së pacientit.

Për parandalimin e marrjes së virusit , rekomandohet shmangia e kontaktit me brejtësit, izolimi i shtëpive dhe hapësirave për të mos lejuar hyrjen e tyre, si dhe pastrimi i sigurt i zonave të kontaminuara me solucionet e duhura disifektuese.