Antibiotikët nuk rrisin rrezikun për sëmundjen celiake
Një studim i fundit sugjeron se përdorimi i antibiotikëve nuk rrit rrezikun që një person të zhvillojë sëmundjen celiake.
Pacientët me sëmundje celiake kishin 24% më shumë gjasa të kishin përdorur antibiotikë krahasuar me familjarët e shëndetshëm ose me anëtarët e popullatës së përgjithshme, raportuan së fundmi studiuesit në revistën “Clinical Gastroenterology and Hepatology”.
Megjithatë, një rritje edhe më e madhe, deri në 50%, u vu re tek individët me mukozë të shëndetshme të zorrëve kur krahasoheshin me publikun e gjerë, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Këto të dhëna sugjerojnë se lidhjet e mëparshme midis antibiotikëve dhe sëmundjes celiake mund të jenë rezultat i ndërgjegjësimit më të madh për këtë çrregullim, i cili shkakton inflamacion të zorrëve pas konsumimit të glutenit.
Sipas autores kryesore të studimit, Dr. Maria Ulnes, nuk ka prova për një lidhje shkakësore midis përdorimit të antibiotikëve dhe zhvillimit të kësaj sëmundjeje.
Ajo thekson se përdorimi i përgjegjshëm i antibiotikëve mbetet i rëndësishëm, por nuk ka arsye që njerëzit t’i shmangin ato nga frika e sëmundjes celiake.
Në studim u analizuan të dhënat e rreth 28 mijë pacientëve me sëmundje celiake, mbi 133 mijë persona kontrolli dhe më shumë se 33 mijë vëllezër e motra. Gjithashtu u përfshinë mbi 225 mijë individë me zorrë të shëndetshme.
Rezultatet tregojnë se faktorë të tjerë, si ndjeshmëria ndaj infeksioneve dhe zakonet ushqimore, mund të luajnë rol më të madh në zhvillimin e sëmundjes celiake, ndoshta përmes ndikimit në mikrobiotën e zorrëve.