Analistët: Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK, i pritshëm

Sonte është diskutuar lidhur me zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, përkatësisht zhvillimet dhe pozicionimet e mundshme politike të aktorëve kryesorë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së sotme të kryesisë së kësaj partie ka thënë se Vjosa Osmani do të jetë “një kandidate e shkëlqyer për presidente”, ndërsa ka theksuar se ai vetë “do të jetë kandidat për kryeministër”.

Analistja Fatime Hajdari ka deklaruar se ky bashkëpunim Abdixhiku - Osmani është për të mirëmbajtur karrierat respektive

“Po, e pritshme, unë e shoh si një bashkëpunim halli për të mirëmbajtur karrierat respektive. Zonja Osmani tashmë është pa një grupim politik, ajo ka ambicie politike, fakti që i është rikthyer politikës, ka qenë e pritshme që rrugëtimi i saj politik do të vazhdojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës”, ka thenë Hajdari.

Ajo ka shtuar se “ajo që është jo shumë e pritshme është zbrapsja e kandidatit për kryeministër zotit Abdixhiku për t’i prirë listës”, duke nënvizuar se “ai që është lideri i një subjekti politik, nëse ka fuqinë politike të mjaftueshme dhe guximin politik për t’u ballafaquar ndaj elektoratit, do të duhej t’i printe listës”.

Hajdari ka thënë gjithashtu se “sheh një taktizim goxha me finesë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë drejtim”.

“Marrja e Vjosa Osmanit për të garuar me të bëhet për interes të disa akterëve aty sepse kanë parë që tashmë ata nuk kanë fuqi politike për t’u ballafaquar me Kurtin”, shtoi ajo.

Kurse analisti Sadik Zeqiri ka vlerësuar se rikthimi i Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka qenë i pritshëm, por jo një bashkim i ri politik, duke e cilësuar si kthim në subjektin nga i cili ajo ka dalë më herët.“E pritshme ka qenë sepse është folur qysh moti që në raportet mes ish-presidentes dhe kryeministrit patën filluar të ftohen. Atëherë është ditur që zonja Osmani në qoftë se merr pjesë dhe do të jetë aktive në jetën politike, do t’i bashkohet prapë subjektit nga i cili ka dalë. Prandaj është pritur pothuajse nga të gjithë që kjo do t’i kthehet Lidhjes Demokratike”, tha Zeqiri.

Megjithatë, Zeqiri ka theksuar se nuk e konsideron këtë zhvillim si bashkim të madh politik, duke thënë: “Unë nuk e quaj një bashkim të madh sepse ajo ka qenë në Lidhjen Demokratike. Është një rikthim i saj në Lidhjen Demokratike, në partinë të cilën e ka dëmtuar më së shumti vet ajo”.

Ndërsa analisti Ejup Gojnovci ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përmendur publikisht Vjosa Osmanin për presidente pa e mbështetur realisht si kandidate, ndërsa rikthimin e saj në parti e konsideron si të domosdoshëm për të dyja palët.

“Konsideroj që Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë një lojë jo të ndershme me zonjën Osmani duke e përmendur emrin e saj publikisht, por pa e lakuar asnjëherë si kandidate të propozuar nga kjo LDK-ja ose të shtyrë nga ajo, dhe pa tentuar që të mbledhë nënshkrimet e nevojshme, as ato 15 nënshkrime që i dërguan dhe i dërgoi lart kokës zoti Abdixhiku, nuk ishin nënshkrime për zonjën Osmani, të paktën aty mungonte emri i zonjës Osmani”, ka thënë ai.

“Po, ishte gati finalja e dështimit të situatës, kështu që po thonë se ishte një farë lloj tallje praktikisht e Lidhjes Demokratike të Kosovës, veçanërisht e Abdixhikut sepse ai momentum është një prej momentumeve më interesante të mosbashkëpunimit të brendshëm të një subjekti politik për një çështje të madhe”.

Sipas Gojnovcit, bashkimi i sotëm i Osmanit me Lidhjen Demokratike të Kosovës është rrugë e domosdoshme për të dy palët.

"Zonja Osmani kishte nevojë ta shpëtonte karrierën e saj politike, njëkohësisht edhe zoti Abdixhiku po ashtu ka nevojë ta shpëtojë karrierën e tij politike dhe të mbetet në pozicionin ku është, qoftë si kryetar i partisë politike, qoftë si lider me influencë në gjithë korpusin politik të Kosovës, në familjen kuvendare”, shtoi ai. /rtk