Filmi i suksesshëm i kinematografisë kosovare shfaqet për publikun e Pogradecit
Në qendrën kulturore “Lasgush Poradeci” në Pogradec u shfaq filmi “Zgjoi”, një nga prodhimet më të suksesshme të kinematografisë kosovare, që sjell për publikun një histori të vërtetë, të ndërtuar mbi dhimbjen e luftës, humbjen dhe përpjekjen e grave për të mbijetuar.
Filmi “Zgjoi” ka në qendër historinë e grave të Krushës së Madhe, të cilat pas luftës së Kosovës mbetën të veja, me familje për të mbajtur dhe me barrën e rëndë të mungesës së burrave, shumë prej të cilëve edhe sot rezultojnë të zhdukur.
Personazhi kryesor i filmit është frymëzuar nga Fahrije Hoti, gruaja që u kthye në simbol të forcës dhe qëndresës. Mes emocionesh, ajo ka treguar se filmi pasqyron realitetin e jetës së saj dhe të shumë grave të tjera, të cilat pas vitit 1999 u detyruan të merrnin mbi supe përgjegjësinë e familjes dhe të rindërtonin jetën nga rrënojat e luftës.
Nga ajo tragjedi, disa gra u bënë bashkë dhe nisën prodhimin e ajvarit, duke e kthyer një punë që në atë kohë shihej me paragjykim, në një model suksesi dhe mbijetese. Ajo që nisi si nevojë për bukën e përditshme, u kthye më pas në një histori dinjiteti, pune dhe bashkimi.
Nënkryetarja e Bashkisë Pogradec, Entela Gusho, u shpreh se histori të tilla tregojnë periudhën e vështirë që kanë kaluar shqiptarët e Kosovës, por njëkohësisht edhe forcën e grave për të mos u dorëzuar. Sipas saj, gratë e bashkuara arritën jo vetëm të mbijetonin, por edhe të ndërtonin diçka që vijon të jetë e suksesshme edhe sot.
“Zgjoi” është vlerësuar gjerësisht edhe në arenën ndërkombëtare. Përtej suksesit artistik, filmi mbetet një kujtesë e fortë për plagët ende të hapura të luftës në Kosovë. Edhe sot, mijëra shqiptarë rezultojnë të pagjetur dhe familjet e tyre vijojnë të presin të vërtetën për fatin e njerëzve të dashur. /CNA