Emiratet e Bashkuara Arabe: Nuk mund t’i besohet Iranit
Një zyrtar i lartë i Emirateve të Bashkuara Arabe ka deklaruar të premten se Teheranit zyrtar nuk mund t’i besohet për asnjë marrëveshje të njëanshme që lidhet me Ngushticën e Hormuzit, duke treguar mungesë të thellë besimi mes palëve, ndërsa ka ngërç në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës SHBA – Iran.
Dy muaj pas fillimit të konfliktit, kjo rrugë detare shumë e rëndësishme vazhdon të jetë kryesisht e mbyllur për shkak të bllokadës iraniane, ndërsa marina amerikane po pengon eksportet e naftës iraniane.
Kjo situatë ka ndikuar në rreth 20% të furnizimit global me naftë dhe gaz, duke rritur çmimet dhe shqetësimet për një ngadalësim ekonomik global, raporton Reuters.
Një armëpushim është në fuqi që nga 8 prilli, por lajmet se presidenti amerikan Donald Trump mund të shqyrtojë sulme të reja ushtarake për të detyruar Iranin të negociojë, i çuan çmimet e naftës në nivelet më të larta të katër vjet gjatë së enjtes.
Sipas burimeve iraniane, vendi ka aktivizuar mbrojtjen ajrore dhe po përgatitet për një përgjigje të gjerë në rast sulmi, duke parashikuar një goditje të shpejtë nga SHBA-ja, ndoshta e ndjekur edhe nga Izraeli.
Uashingtoni nuk ka bërë të ditur hapat e ardhshëm. Trump ka deklaruar se nuk është i kënaqur me propozimin e fundit nga Irani, ndërsa Pakistani si ndërmjetës, nuk ka caktuar ende një datë për bisedime të reja.
Pas sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit më 28 shkurt, Irani goditi baza dhe objekte të lidhura me SHBA-në në vendet e Gjirit. Në të njëjtën kohë, grupi Hezbollah në Liban lëshoi raketa drejt Izraelit, i cili u kundërpërgjigj me sulme në Liban.
Duke folur për shqetësimet e vendeve të Gjirit, këshilltari presidencial i Emirateve, Anwar Gargash, tha se vetëm vullneti ndërkombëtar dhe e drejta ndërkombëtare mund të garantojnë lirinë e lundrimit në këtë ngushticë.
Ai shtoi se nuk mund të besohet në asnjë marrëveshje të njëanshme nga Irani pas agresionit të tij ndaj fqinjëve.
Trumpi ndërkohë, po përballet me një afat ligjor për ta përfunduar luftën ose për të kërkuar miratim nga Kongresi për vazhdimin e saj. /abcnews