Ngrohja e shpejtë po pakëson dëborën dhe akullin në Evropë

Evropa po humbet mbulesën e saj të dëborës dhe akullit, ndërsa ngrohja e shpejtë po godet rajonet më të ftohta, sipas një raporti të madh vjetor të mbështetur nga OKB-ja.

Rreth 100 shkencëtarë dhe ekspertë kontribuan në raportin ”Gjendja e Klimës në Evropë 2025”, i publikuar nga ”World Meteorological Organization” (WMO) dhe ”European Centre for Medium-Range Weather Forecasts”, i cili zbulon se të paktën 95% e kontinentit përjetoi temperatura mbi mesataren vitin e kaluar.

Sipas raportit, Evropa po ngrohet më shumë se dy herë më shpejt se mesatarja globale, duke përjetuar temperatura të rrezikshme të ajrit, thatësira, valë të nxehti dhe temperatura rekord të oqeaneve.

Temperatura mesatare e sipërfaqes së detit arriti nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë në vitin 2025.

Zjarret pyjore përfshinë sipërfaqen më të madhe të regjistruar ndonjëherë. rreth 1 034 550 hektarë duke prodhuar nivelet më të larta të emetimeve.

Shkencëtarët theksojnë gjithashtu humbjen e ndjeshme të borës dhe akullit, të cilat luajnë rol kyç në rregullimin e klimës duke reflektuar rrezet e diellit. Reduktimi i kësaj mbulese përshpejton më tej ngrohjen globale.

Sipas të dhënave, mbulesa e borës në Evropë ishte 31% nën mesatare vitin e kaluar, ndërsa numri i ditëve dimërore me temperatura nën zero u ul ndjeshëm.

Rajonet si Arktiku dhe Alpet vazhdojnë të përjetojnë ngrohje të shpejtë, ndërsa në zonën sub-arktike të Fenoskandisë u regjistrua një valë e nxehti rekord prej tre javësh, me temperatura që kaluan 30°C dhe arritën deri në 34,9°C në Norvegji.

Akullnajat në të gjitha rajonet evropiane pësuan humbje neto në masë. Islanda regjistroi humbjen e dytë më të madhe në histori, ndërsa shtresa e akullit në Groenlandë humbi rreth 139 miliardë tonë akull.

Sipas Samantha Burgess, mbulesa e borës po zvogëlohet ndjeshëm, duke ulur reflektimin e sipërfaqeve të bardha, ndërsa rajonet alpine po ngrohen më shpejt se mesatarja evropiane.

Ajo paralajmëroi se në të ardhmen do të ketë më pak borë dhe më pak akullnaja, duke theksuar se “kriosfera është ndër ekosistemet më të prekura nga ndryshimet klimatike”.

Raporti evidenton gjithashtu ndikimet në biodiversitet, duke theksuar se rritja e temperaturave, ndryshimet në reshje dhe ngrohja e oqeaneve po çojnë në ulje të larmisë së specieve dhe rritje të rrezikut të zhdukjes.

Ndërkohë, stuhitë dhe përmbytjet prekën mijëra njerëz në Evropë dhe shkaktuan të paktën 21 viktima, ndërsa rrjedhat e lumenjve mbetën nën mesatare për 11 muaj të vitit 2025, duke rritur presionin mbi sistemet ujore.

Megjithatë, raporti vëren edhe përparim në tranzicionin energjetik: burimet e rinovueshme siguruan 46,4% të energjisë elektrike në Evropë, ndërsa energjia diellore arriti një rekord prej 12,5%./atsh