Ushtria izraelite lëshon urdhra evakuimi për 16 qytete në jug të Libanit, pavarësisht armëpushimit

Ushtria izraelite lëshoi ëtë martën paralajmërime për evakuim të menjëhershëm për banorët e 16 qyteteve në Libanin jugor, në shkeljen e fundit të një armëpushimi të përkohshëm midis Bejrutit dhe Tel Avivit.

Në një deklaratë të postuar në kompaninë amerikane të mediave sociale X, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee u bëri thirrje banorëve të qyteteve Ghandoorieh, Borj Qalaouiyeh, Qalaouiyeh, Sawaneh, Jmeijmeh, Safad al-Battikh, Braachit, Shaqra, Aita al-Jabal, Tebnineh-Suline, Selem, Selaa dhe Deir Kifa të evakuohen dhe të shkojnë në veri.

Ai tha se paralajmërimi u lëshua në dritën e “shkeljeve të armëpushimit nga Hezbollahu”.

“Ushtria nuk ka ndërmend t’ju dëmtojë”, pohoi Adraee, duke u bërë thirrje banorëve të evakuojnë menjëherë shtëpitë e tyre dhe të shkojnë drejt zonës së Sidonit për sigurinë e tyre.

Ai paralajmëroi se kushdo që është pranë operativëve, infrastrukturës ose pajisjeve ushtarake të Hezbollahut “do të ishte në rrezik”.

Izraeli ka vazhduar sulmet e tij në Liban pavarësisht armëpushimit mes shkeljeve të përsëritura. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha javën e kaluar se ishte përpjekur ta parandalonte Izraelin nga kryerja e sulmeve ajrore në Liban.

Trump njoftoi për herë të parë një armëpushim 10-ditor midis Izraelit dhe Libanit më 17 prill, përpara se të thoshte të enjten se do të zgjatej me tre javë.

Përpara armëpushimit, Izraeli nisi një ofensivë më 2 mars që ka vrarë të paktën 2,509 persona dhe plagosur 7,755 të tjerë, ndërsa ka zhvendosur më shumë se 1.6 milionë, sipas shifrave.