KEK-u dhe KESCO arrijnë marrëveshje, s’do të ngrihen tarifat e energjisë elektrike

Kompania për furnizim me energji elektrike KESCO ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje të përbashkët me KEK-un, në bashkëpunim me ZRRE-në, me synim menaxhimin më efikas të kostove të furnizimit dhe ruajtjen e stabilitetit të tarifave të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit, marrëveshja vjen në një kohë sfiduese për sektorin energjetik, të shënuar nga rritja e nevojës për import të energjisë. Në këtë kontekst, institucionet dhe ndërmarrjet energjetike kanë koordinuar veprimet për të mbrojtur konsumatorët dhe për të garantuar funksionimin stabil të sistemit.

Thelbi i marrëveshjes është aplikimi i një mekanizmi të përkohshëm për shpërndarjen e kostove, i propozuar nga ZRRE-ja, që synon të shmangë reflektimin e menjëhershëm të rritjes së kostove në faturat e qytetarëve.

Si furnizues i shërbimit universal, KESCO ka theksuar rolin e saj në mbështetjen e kësaj qasjeje, duke synuar furnizim të qëndrueshëm dhe mbrojtje të konsumatorit nga ngarkesat e menjëhershme financiare.

Marrëveshja konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt stabilizimit të sektorit energjetik në vend dhe dëshmi e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të interesit publik. /Zëri