Mexhiti: Shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë për institucionet e Shqipërisë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, u takua sot me Izet Mexhitin, kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe kryetar i komunës së Çairit.

Në konferencën e përbashkët për mediet pas takimit, Mexhiti vlerësoi ftesën e ministrit dhe theksoi përgjegjësinë e përbashkët të liderëve shqiptarë për të ruajtur dhe forcuar lidhjet ndërshqiptare. Ai nënvizoi se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë pjesë e pandashme e kombit shqiptar dhe se ekziston një detyrim institucional për kujdes ndaj tyre.

Mexhiti deklaroi se agjendat e përbashkëta përfshijnë integrimin evropian dhe avancimin e çështjes shqiptare, duke shtuar se bashkëpunimi duhet të thellohet më tej, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë institucional.

“Me shumë kënaqësi iu përgjigja ftesës së ministrit të Punëve të Jashtme, Hoxha. Si çdo herë ne e kemi dhe përgjegjësinë si udhëheqës që të mbajmë përgjegjësi dhe të mbajmë lidhjet ndër shqiptare. Ne dhe në Kushtetutën tonë jemi pjesë e popullit shqiptar, edhe në Kushtetutën e Shqipërisë ka për obligim që të kujdeset dhe për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë. Axhendat i kemi të përbashkëta, janë integrimet evropiane, është avancimi i çështjes shqiptare, ne duhet të takohemi edhe ndërmjet vetes dhe me opinionin për të parë realitetin”, shtoi kryetari i komunës së Çairit.

“Ajo që më garantoi është se Maqedonia lëviz në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, Maqedonia lëviz dhe drejt avancimit të çështjes shqiptare. Bashkë me Shqipërinë duhet të jemi krah për krah dhe në integrimin evropian. Pra shqiptarët e Maqedonisë kanë nevojë për institucionet e shtetit shqiptar dhe besoj se nismat janë të shumta si në nivelin lokal dhe institucional. Kemi nevojë që ta thellojmë bashkëpunimin dhe të ecim bashkë në procese”, tha Mexhiti.