Miratohet marrëveshja për tregti të lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s

Me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, është miratuar marrëveshja për tregti të lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s, raporton Ekonomia Online.

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari-Lila, prezantoi përfitimet nga kjo marrëveshje.

“Kjo marrëveshje derivon nga nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për bashkëpunim në mes të Republikës së Kosovës dhe shteteve të EFTA-s në fund të vitit 2018 në Gjenevë, e cila në nenin katër hapi rrugë nënshkrimit të marrëveshjes për tregti të lirë me EFTA-n me 22 janar 2024, në Konferencën Ndërkombëtare të Davosit në Zvicër. Marrëveshja e tregtisë së lirë përbën një instrument të rëndësishëm të politikës tregtare të Kosovës dhe kontribuon në thellimin e integrimit ekonomik me tregjet e shteteve evropiane me fuqi të lartë blerëse, si dhe standarde të avancuara rregullative. Kjo marrëveshje përfshin fusha të ndryshme për të cilat palët janë pajtuar në thellimin e bashkëpunimit në liberalizimin progresiv të tregtisë së mallrave përmes eliminimit të tarifave doganore për shumicën e produkteve industriale, përmirësimin e qasjes në treg për produkte bujqësore të caktuara, të drejtat e pronësisë intelektuale, vendosjen e rregullave të qarta për origjinën e mallrave, si dhe rritjen e sigurisë juridike për operatorët ekonomikë. Një komponentë tjetër me rëndësi të veçantë është përfshirja e tregtisë në shërbime, ku në këtë marrëveshje parashihen edhe shërbimet profesionale, shërbimet financiare, shërbimet e transportit, të teknologjisë së informacionit dhe shërbimet turistike“, tha ajo. /eo