Trump: Teherani mund ta kontaktojë SHBA-në nëse dëshiron negociata
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Teherani “mund të na thërrasë” nëse dëshiron negociata, mirëpo ka shtuar se iranianët fillimisht duhet të heqin dorë nga planet për të krijuar armë bërthamore, në të kundërtën “nuk ka arsye për takim”.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, njëherësh kryenegociator i Iranit, ka arritur në Shën Petersburg, ku pritet të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, meqë bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të ndërmjetësuara nga Pakistani, vazhdojnë të jenë të mjegulluara.
“Nëse dëshirojnë të negociojnë, mund të vijnë te ne, apo mund të na thërrasin. Ekziston telefoni. Kemi linja të mira, të sigurta”, ka thënë Trump për televizionin Fox në 26 prill.
“Ata e dinë se çfarë duhet të ketë në marrëveshje. Është shumë e thjeshtë. Ata nuk mund të kenë armë bërthamore, në të kundërtën nuk kemi asnjë arsye për t’u takuar”, ka thënë Trumpi.
Teherani ka insistuar gjithmonë që programin bërthamor e ka vetëm për qëllime civile, ndonëse Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e akuzojnë Iranin se përpiqet që fshehurazi të ndërtojë armë bërthamore.
Trumpi i ka kërkuar Teheranit që ta ndalë programin e pasurimit të uraniumit, që mund të përdoret për të krijuar bombë dhe që vendi tashmë e ka tejkaluar furnizmimin e tij me këtë mineral, mirëpo Irani insiston se diçka e tillë nuk do të ndodhë.
Agjencia e lajmeve Axios ka raportuar më 26 prill se Teherani, duke punuar me ndërmjetës pakistanezë, ua ka dorëzuar Shteteve të Bashkuara propozimin e ri që parasheh se Ngushtica e Hormuzit të rihapet dhe të hiqet bllokada amerikane në portet iraniane, ndërsa negociatat për programin bërthamor të Iranit të mbahen më vonë.
Në këtë material janë cituar një zyrtar amerikan dhe dy burime të afërta me këto zhvillime. /Rel