Ekspozimi ndaj pesticideve dhe rritja e kancerit kolorektal te të rinjtë
Një studim i ri sugjeron se faktorët mjedisorë dhe të stilit të jetesës, si dieta, duhani dhe ekspozimi ndaj kimikateve, mund të luajnë rol në rritjen e rasteve të kanceri kolorektal te të rinjtë.
Hulumtimi konfirmon disa rreziqe të njohura, por gjithashtu identifikon një lidhje të re të mundshme me herbicidin bujqësor pikloram.
Sipas burimit Medical News Today, kanceri kolorektal me shfaqje të hershme përkufizohet si diagnostikim tek personat nën moshën 50 vjeç. Dikur i konsideruar sëmundje e moshave të mëdha, kjo gjendje po rritet me ritme shqetësuese globalisht, me një shtim mesatar prej rreth 1.4% në vit, transmeton Gazeta Shneta.
Aktualisht, rreth një në pesë raste diagnostikohet tek persona nën 55 vjeç, dhe kjo sëmundje është bërë një nga shkaqet kryesore të vdekjeve nga kanceri në këtë grupmoshë.
Studimi, i publikuar në “Nature Medicine”, analizoi ndryshimet epigjenetike – modifikime kimike që ndikojnë në mënyrën se si lexohen gjenet pa ndryshuar ADN-në. Rezultatet treguan lidhje të qarta midis kancerit dhe faktorëve si dieta e pashëndetshme dhe përdorimi i duhanit.
Megjithatë, një zbulim i rëndësishëm ishte lidhja me pikloramin, një pesticid i përdorur gjerësisht në bujqësi.
Zonat me përdorim më të lartë të këtij kimikati shfaqnin edhe nivele më të larta të kancerit kolorektal te të rinjtë, edhe pse kjo nuk provon drejtpërdrejt shkakësinë.
Në përfundim, studimi thekson nevojën për më shumë kërkime dhe për politika që adresojnë faktorët mjedisorë dhe të stilit të jetesës, me qëllim uljen e rrezikut të kancerit tek brezat e rinj. /Gazeta Shneta