Sulm kibernetik në Holandë, vidhen të dhënat personale të mijëra banorëve

Hakerat kanë vjedhur të dhënat personale të mijëra banorëve në një qytet në lindje të Holandës gjatë një sulmi kibernetik që shënjestroi serverin e komunës Epe.

Sipas transmetuesit holandez NOS, komuna Epe pas një hetimi të gjerë tha se sulmi kibernetik preku rreth 32 mijë banorë muajin e kaluar.

Në sulm janë vjedhur të dhënat e kontaktit të banorëve ndërsa janë marrë edhe kopje të dokumenteve të identitetit të më shumë se 1 mijë personave.

“Si komunë, ne duhet të kujdesemi mirë për të dhënat e qytetarëve dhe këtë e marrim seriozisht. Fatkeqësisht, megjithatë, gjërat shkuan keq”, tha kryetari i komunës, Tom Horn.

Sipas raportit, të gjithë banorët e komunës Epe do të marrin së shpejti një letër që i informon për situatën dhe për hapat që mund të ndërmarrin për të parandaluar keqpërdorimin e të dhënave të tyre.

Për të zvogëluar rrezikun e mashtrimit me identitet, banorët e prekur mund të zëvendësojnë pa pagesë patentat e shoferit, kartat e identitetit dhe pasaportat.

Të dhënat personale të vjedhura ishin të ruajtura në një server që përdorej ekskluzivisht nga punonjësit që iu bashkuan shërbimit pas vitit 2022.