Deficiti tregtar thellohet në mars – eksportet rriten më shpejt se importet, por mbulimi mbetet i ulët

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat për tregtinë e jashtme të mallrave për muajin mars 2026, ku evidentohet një rritje e eksportit dhe importit, por edhe thellim i deficitit tregtar.

Sipas raportit, deficiti tregtar në mars arriti në 563.5 milionë euro, duke shënuar rritje prej 5.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Eksportet mbulojnë importet vetëm në nivelin 13.6 për qind, transmeton Zeri.info.

Gjatë këtij muaji, eksporti i mallrave arriti në 88.4 milionë euro, me një rritje vjetore prej 18.2 për qind. Ndërkohë, importi kap vlerën 651.8 milionë euro, duke u rritur për 6.8 për qind krahasuar me marsin e vitit të kaluar.

Në eksport dominojnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 26.2 për qind, të ndjekura nga plastika dhe goma (12.4%), ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani (11.1%), si dhe tekstili (8.2%).

Në anën tjetër, importet udhëhiqen nga produktet minerale (14.5%), makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike (14.3%), ushqimet dhe pijet (10.6%), si dhe mjetet e transportit (10.6%).

Vendet e Bashkimit Evropian përbëjnë 33.2% të eksporteve dhe 43.6% të importeve. Gjermania mbetet partneri kryesor.

Vendet e CEFTA-s zënë pjesën më të madhe të eksporteve me 46.2%, ndërsa importet nga ky rajon kanë shënuar rënie prej 23.1%.

Nga vendet e tjera, eksportet kryesore janë drejt Zvicrës dhe Turqisë, ndërsa importet dominohen nga Kina dhe Turqia.

Të dhënat konfirmojnë një trend të vazhdueshëm: pavarësisht rritjes më të shpejtë të eksporteve, hendeku tregtar i Kosovës mbetet i thellë për shkak të varësisë së lartë nga importi. /Zëri