Elvis Rexhbeçaj zyrtarisht rikthehet te Wolfsburgu
Elvis Rexhbeçaj rikthehet te VfL Wolfsburg, duke u bërë përforcimi i parë i klubit për sezonin e ardhshëm.
Mesfushori 28-vjeçar, pjesë e Kombëtares së Kosovës, ka arritur marrëveshje me klubin gjerman si lojtar i lirë, pas katër sezonesh të kaluara te FC Augsburg.
Ai ka nënshkruar kontratë afatgjatë që do ta mbajë në “Volkswagen Arena” deri më 30 qershor 2030.
Drejtori sportiv i Wolfsburgut, Pirmin Schwegler, e vlerësoi rikthimin e Rexhbeçajt si një lëvizje të rëndësishme për klubin:
“Me Elvisin rikthejmë një lojtar që ka lidhje të forta me Wolfsburgun dhe qytetin. Përveç cilësive të tij në fushë, ai sjell një personalitet të fortë dhe ndjenjë përgjegjësie. Jemi të bindur se do të jetë një aset i madh për ekipin”, deklaroi Schwegler.
Nga ana e tij, Rexhbeçaj e cilësoi rikthimin si një moment të veçantë në karrierën e tij.
“Kthimi në Wolfsburg është shumë domethënës për mua. Këtu jam rritur si lojtar dhe kam bërë hapat e parë në Bundesliga. Jam mirënjohës për gjithçka që ky klub më ka dhënë”, tha reprezentuesi i Dardanëve.
Ai shtoi se mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj FC Augsburg deri në fund të sezonit aktual, duke premtuar se do të japë maksimumin në çdo ndeshje.