Paraburgim ndaj 19 të dyshuarve për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz në Mitrovicë

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 19 të pandehurve, të dyshuar për përfshirje në organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Sipas njoftimit, vendimi është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marigona Lajqi, në kuadër të Departamentit të Përgjithshëm – Divizioni Penal.

Të pandehurit, me inicialet A.B., D.S., N.M., B.M., R.S., A.I., B.I., B.S., F.M., M.S., B.B., A.R., A.M., N.H., D.M., A.M., Sh.A., Xh.S. dhe F.D., dyshohen se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, sipas nenit 294 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata ka bërë të ditur se masa e paraburgimit është caktuar nga data 18 prill 2026 dhe do të zgjasë deri më 18 maj 2026.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Mitrovicë, brenda afatit të përcaktuar me ligj.