Kurti: Nga Tech-kulla te valuta digjitale, fokusi i ri i Qeverisë në inovacion

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar arritjet dhe planet e Qeverisë në fushën e inovacionit dhe kreativitetit, në shënim të Ditës Botërore të Inovacionit dhe Kreativitetit.

Ai bëri të ditur se zotimet e dhëna po shndërrohen në programe konkrete qeveritare, duke përfshirë ndërtimin e Tech-kullës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Prishtinë, si dhe zhvillimin e një valute digjitale.

Sipas tij, në mbledhjen e fundit të Qeverisë është miratuar Projektligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi, i cili parasheh krijimin e Fondit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, si dhe mbështetjen e start-up-eve, me fokus të veçantë te bizneset e grave.

Kurti theksoi se janë ndarë tetë milionë euro për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, ndërsa është funksionalizuar edhe Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës, me investim prej 1 milion euro.

Po ashtu, janë realizuar investime në infrastrukturën mbështetëse për bizneset, përfshirë ndërtimin e Inkubatorit të Biznesit në Malishevë dhe rinovimin e Parkut Teknologjik në Shtime, me vlerë prej 440 mijë euro, si dhe dhënien në shfrytëzim të Inkubatorit “Tech Park” në Bërnicë me hapësirë rreth 4000 metra katrorë.

Në kuadër të mbështetjes për të rinjtë, janë ndarë 574 mijë euro për trajnime në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.

Kryeministri nënvizoi edhe anëtarësimin e Kosovës në programin Horizon Europe, ku në periudhën 2021–2024 janë financuar 15 projekte me vlerë totale prej 1.5 milion eurove.

Në fund, ai theksoi se në mandatin e ri do t’i kushtohet rëndësi e veçantë orientimit të investimeve të diasporës drejt sektorëve të inovacionit, teknologjisë dhe industrive kreative. /Zëri