Supremja refuzon kërkesat e të akuzuarve për krime lufte, mbetet në fuqi paraburgimi

Kolegji i Gjykatës Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë në rastin penal ndaj të pandehurve M.P. dhe Zh.Z., të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile.

Vendimi është marrë përmes aktgjykimit Pml. nr. 222/2026, pas shqyrtimit të kërkesave të paraqitura nga mbrojtja kundër vendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Sipas Supremes, nga shqyrtimi i shkresave të lëndës rezulton se ekziston dyshim i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, duke plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit.

Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se ekziston rreziku i arratisjes së të pandehurve në rast se do të mbroheshin në liri, duke marrë parasysh peshën e veprës, sanksionin e mundshëm si dhe faktin se ata janë shtetas të Serbia dhe posedojnë dokumente udhëtimi.

Në këto rrethana, paraburgimi është konsideruar i domosdoshëm për sigurimin e prezencës së tyre dhe zhvillimin e rregullt të procedurës penale.

Supremja ka konstatuar se gjykatat e instancave më të ulëta nuk kanë bërë shkelje esenciale të procedurës penale dhe se masat alternative janë vlerësuar si të pamjaftueshme në këtë fazë të procesit. /Zëri