Skandal në disa vende të BE-së: Ushqimi për foshnja “HiPP” i dyshuar për helmim, nisin hetimet për shantazh
Një kompani me bazë në Gjermani ka tërhequr disa nga produktet e saj të ushqimit për foshnja në Austria, pasi disa kavanoza janë gjetur të përmbajnë helm për minj, kanë bërë të ditur autoritetet.
Policia e Landit të Burgenlandit konfirmoi përmes një postimi në Facebook se oficerët janë duke lëshuar një paralajmërim urgjent për kavanoza të ushqimit për foshnja “HiPP”, që dyshohet se janë manipuluar. Testet fillestare kanë treguar se një kavanoz i dyshimtë ka rezultuar pozitiv për helm për minj, ndërsa raste të ngjashme janë identifikuar edhe në Çekia dhe Sllovakia, transmeton Zeri.info.
Sipas kompanisë, rasti mund të ketë prekur kavanozat 190-gramësh me ushqim për foshnja me karotë dhe patate. Konsumimi i tyre mund të jetë potencialisht “kërcënues për jetën”. Autoritetet besojnë se të paktën një kavanoz i helmuar mund të jetë ende në qarkullim dhe kanë dhënë udhëzime se si të identifikohen produktet e manipuluara,
Si masë paraprake, “HiPP” ka tërhequr të gjitha produktet e blera në supermarketet Spar në Austri, përfshirë Eurostar, Interspar dhe Maximarkt. Kompania theksoi se nuk mund të përjashtohet mundësia që substanca e rrezikshme të jetë futur përmes ndërhyrjes së jashtme dhe se siguria e fëmijëve mbetet prioriteti kryesor.
Tërheqja përfshin gjithë gamën e pureve në kavanoza të shitura në rreth 1.500 markete Spar në Austri. Ndërkohë, Spar Austria ka bërë të ditur se produktet janë larguar nga raftet edhe në vende të tjera ku operon, duke përfshirë Slloveninë, Hungarinë, Kroacinë dhe veriun e Italisë.
Autoritetet këshillojnë konsumatorët të kontrollojnë nëse kavanozat kanë shenja të dyshimta, si një etiketë e bardhë me rreth të kuq në fund, kapak të dëmtuar ose mungesë të zhurmës karakteristike gjatë hapjes, si dhe erë të pazakontë.
Sipas mediave austriake, selia e “HiPP”-it në Bavari ka marrë një e-mail shantazhi më 27 mars, ku kërkoheshin dy milionë euro. Megjithatë, kompania thuhet se e ka lexuar mesazhin vetëm më 16 prill. Policia nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë informacion.
Policia në Ingolstadt, nën drejtimin e prokurorisë përkatëse, ka nisur hetime për tentativë shantazhi ndaj kompanisë. Autoritetet gjermane dhe ato të vendeve të prekura janë në kontakt të vazhdueshëm.
Gjatë hetimeve janë zbuluar pesë kavanoza të manipuluara në Austri, Çeki dhe Sllovaki, të cilët janë konfiskuar para konsumimit. Një kavanoz i tillë dyshohet se mund të jetë ende në qarkullim në Austri. Testet laboratorike kanë konfirmuar praninë e helmit për minj, ndërsa në Gjermani nuk janë gjetur produkte të kontaminuara.
Rasti po hetohet si rrezikim i qëllimshëm i publikut. Kompania ka kërkuar nga konsumatorët që të kthejnë produktet e blera për rimbursim, ndërsa autoritetet shëndetësore kanë bërë thirrje që çdo fëmijë që mund të ketë konsumuar ushqimin e dyshimtë të dërgohet menjëherë për kontroll mjekësor.
Ndërkohë, theksohet se kontaminimi nuk lidhet me procesin e prodhimit, pasi produktet kanë dalë nga fabrika në gjendje të rregullt, dhe se formulat e qumështit për foshnja nuk janë prekur nga ky incident. /Zëri