Alergjitë ushqimore: Mbi 90 për qind e reaksioneve lidhen me vetëm 9 ushqime

Qumështi, vezët, kikiriku, gruri dhe ushqime të tjera të zakonshme mund të shkaktojnë reaksione serioze, ndërsa njohja e alergjenëve mbetet mbrojtja më e mirë

Alergjitë ushqimore nisën të shfaqen ndjeshëm që në fillim të viteve 1990, ndërsa numri i rasteve u rrit aq shumë sa studiuesit i shpallën epidemi. Mbajtja e alergjive nën kontroll dhe njohja se si të shmangen alergjenët është bërë prioritet. Me kalimin e kohës, studiuesit kanë vërtetuar se ekzistojnë 9 alergjenë kryesorë ushqimorë, të cilët shkaktojnë më shumë se 90 për qind të reaksioneve alergjike. 

Për të shmangur alergjitë ushqimore, duhet të dimë ku gjenden alergjenët

Imagjinoni që çdo vakt, çdo ushqim të lehtë dhe çdo kafshatë të vogël ta nisni duke pyetur veten nëse ai ushqim mund t’ju dëmtojë apo edhe t’ju rrezikojë jetën. Kjo është realiteti i përditshëm për këdo që jeton me alergji ushqimore. Është vërtetuar se 9 ushqime shkaktojnë më shumë se 90 për qind të reaksioneve serioze alergjike, si anafilaksia. Në këtë listë bëjnë pjesë qumështi, vezët, peshku, butakët, arrorët, kikiriku, gruri, soja dhe susami. Në SHBA, për shembull, këta alergjenë duhet të deklarohen qartë në etiketat e produkteve ushqimore. 

Mbrojtja më e mirë nga alergjia ushqimore është shmangia e ushqimit, pra e alergjenit. Por, që ta shmangni një ushqim, duhet të dini ku gjendet ai, kujton dr. Jaclyn Bjelac, alergologe në Cleveland Clinic, transmeton Telegrafi.

9 alergjenët më të zakonshëm

Në grupin e alergjenëve kryesorë gjenden 9 ushqime si shkaktarët më të shpeshtë të reaksioneve alergjike. Megjithatë, ato nuk janë të vetmet ushqime që mund të shkaktojnë probleme. Në fakt, më shumë se 170 ushqime janë identifikuar si alergjenë. 

Qumështi

Alergjia ndaj proteinave të qumështit të lopës është alergjia ushqimore më e shpeshtë tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Nga 2 deri në 6 për qind e fëmijëve mund të jenë alergjikë ndaj qumështit të lopës. Alergjia ndaj qumështit përfshin edhe shmangien e të gjitha produkteve të qumështit. Kjo do të thotë pa gjalpë, djathë, akullore, kos e produkte të ngjashme. Lajmi i mirë është se shumica e fëmijëve e tejkalojnë këtë alergji brenda disa vitesh. 

Alergjia ndaj qumështit kundrejt intolerancës ndaj laktozës

Duhet theksuar se alergjia ndaj qumështit është ndryshe nga intoleranca ndaj laktozës dhe mund të jetë shumë më e rrezikshme. Alergjia ushqimore shkakton reagim të tepruar të sistemit imunitar. Nëse një person me alergji konsumon qumësht, simptomat mund të variojnë nga të lehta, si skuqje dhe urtikarie, deri te të rënda, si ënjtje që bllokon rrugët e frymëmarrjes.

Nëse jeni intolerant ndaj laktozës, problemi lidhet me tretjen. Trupit i mungon enzima që ndihmon tretjen e laktozës, pra sheqerit në qumësht dhe produktet e qumështit. Kjo mund të shkaktojë të përziera, gazra dhe diarre, por nuk është gjendje kërcënuese për jetën, thekson dr. Bjelac. 

Vezët

Shmangia e vezëve, nëse keni alergji ndaj tyre, mund të jetë e vështirë. Është e lehtë të shmanget veza si ushqim i drejtpërdrejtë, por problemi lind kur vezët përdoren në përgatitjen e ushqimeve të ndryshme. Ato mund të gjenden në bukë, ëmbëlsira, makarona, gjevrekë, karamele e madje edhe në pije të caktuara. Megjithatë, disa persona me alergji ndaj vezëve mund t’i tolerojnë ato kur janë të pjekura brenda ushqimit, si në tortë apo kek shtëpie. Si alergjia ndaj qumështit, edhe alergjia ndaj vezëve është më e shpeshtë tek fëmijët dhe zakonisht tejkalohet me kalimin e kohës. 

Kikiriku

Alergjia ndaj kikirikut tërheq shumë vëmendje dhe me të drejtë. Reaksionet e rënda ndaj kikirikut shkaktojnë më shumë vizita emergjente për anafilaksi të lidhur me ushqimin se çdo ushqim tjetër. Është alergjia e tretë më e shpeshtë ushqimore tek fëmijët dhe të rriturit. Një në pesë fëmijë me alergji ndaj kikirikut e tejkalon këtë gjendje. 

Arrorët

Arrorët rriten në pemë dhe më së shpeshti përfshijnë arrat, bajamet, lajthitë, pekanin, arrën indiane dhe fëstëkun. Reaksionet ndaj arrorëve janë arsyeja e dytë më e shpeshtë për trajtim urgjent për shkak të alergjisë ushqimore. Këto alergji zakonisht zgjasin gjatë gjithë jetës, megjithëse një përqindje e vogël e fëmijëve mund ta tejkalojnë alergjinë. 

Butakët

Alergjia më e zakonshme ushqimore tek të rriturit lidhet me butakët. Personat mund të jenë alergjikë ndaj krustaceve si karkalecat, gaforret dhe karavidhet, ose ndaj molusqeve si midhjet, ostrigat, kallamarët, kërmijtë e detit dhe oktapodi. Shumë njerëz e zbulojnë këtë alergji vetëm në moshë të rritur. Zakonisht është alergji afatgjatë. 

Peshku

Nëse jeni alergjik ndaj peshkut, ka gjasa të jeni alergjik ndaj shumë llojeve të tij, sepse proteinat alergjike janë të ngjashme. Tuna, salmoni, merluci dhe mustaku janë ndër më të zakonshmit, por pothuajse çdo lloj peshku mund të shkaktojë reaksion. Ndryshe nga sa mendohet shpesh, mund të jeni alergjik ndaj peshkut, por jo ndaj butakëve dhe anasjelltas. 

Gruri

Alergjia ndaj grurit është më e zakonshme tek fëmijët e vegjël dhe shpesh largohet me moshën. Megjithatë, sa kohë është e pranishme, mund ta vështirësojë jetën, pasi gruri gjendet në shumë produkte ushqimore. Alergjia ndaj grurit ndryshon nga sëmundja celiake dhe intoleranca ndaj glutenit. Lajmi i mirë është se gruri mund të zëvendësohet me drithëra si misri, tërshëra, quinoa ose thekra. 

Soja

Alergjia ndaj sojës është më tipike në fëmijëri dhe shpesh shoqërohet me alergji të tjera ushqimore, sidomos ndaj kikirikut. Një studim tregoi se 88 për qind e fëmijëve me alergji ndaj sojës kishin edhe alergji ndaj kikirikut. Shmangia e sojës mund të jetë e vështirë, pasi ajo gjendet shpesh në ushqime të përpunuara. Megjithatë, shumë persona mund të tolerojnë produkte që përmbajnë lecitinë soje. 

Susami

Susami është bërë një nga shkaktarët kryesorë të anafilaksisë ushqimore në mbarë botën. Nuk mjafton vetëm shmangia e bukëve me susam, pasi ai gjendet shpesh në shumë ushqime të gatshme, si humusi. Mund të përdoret në forma të ndryshme, si miell, vaj, pastë ose fara. /telegrafi