Deda: Kurti dëshiron kontroll absolut, s’do president konsensual

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka reaguar pas mungesës së marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke ngritur pikëpyetje për mungesën e konsultimeve politike rreth zgjedhjes së Presidentit dhe një koalicioni të mundshëm qeverisës.

Deda pyeti retorikisht nëse ka pasur konsultime për zgjedhjen e Presidentit apo për një marrëveshje qeverisëse, duke thënë se bisedat për një qeverisje të përbashkët VV–LDK do të duhej të ishin zhvilluar më herët.

“A patëm konsultime për zgjedhje të presidentit apo për koalicion qeverisës? Bisedat për qeverisje të përbashkët VV-LDK mund të bëheshin në janar e shkurt. Atëherë mund të mbaheshin edhe bisedat për president/e e të përfundonte kjo temë”, ka shkruar Deda në Facebook.

Ai ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se, sipas tij, nuk ka vullnet për proces politik për figurën e Presidentit, as për një president konsensual dhe as për qeverisje të suksesshme, duke e lidhur këtë me synime për “kontroll absolut”.

“Krizat e vetëgjeneruara e permanente kanë vetëm një qëllim – kontrollin absolut. E qëllimet e tilla politike ndëshkohen në shoqëri me kapacitet demokratik”, ka theksuar Deda.

Ndërkohë, sipas afateve kushtetuese, kanë mbetur edhe tetë ditë për votimin e Presidentit.

Në rast se procesi dështon, vendi shkon automatikisht në zgjedhje.