Gjenerata Z, pse të rinjtë po ndihen më të vetmuar se kurrë?

Ndërsa bota po nxiton drejt inovacionit dhe teknologjisë, një pandemi e heshtur po përhapet me shpejtësi: kriza e shëndetit mendor. Shifrat e fundit janë alarmante, duke treguar se çrregullimet psikologjike i kushtojnë ekonomisë globale miliarda dollarë çdo vit, por kostoja më e lartë po paguhet nga njerëzit, veçanërisht nga Gjenerata Z.

Për të lindurit midis viteve 1997 dhe 2012, bota është një ekran i madh ku çdo sekondë ekspozohen ndaj jetëve “perfekte” të të tjerëve. Ky krahasim i vazhdueshëm në rrjetet sociale si Instagram dhe TikTok ka krijuar një terren toksik për vetëbesimin. Sipas studimeve, mbi 42% e të rinjve të kësaj gjenerate raportojnë nivele të larta ankthi, të nxitura nga nevoja për miratim digjital dhe frika nga izolimi social.

Më shumë se 30% e të rriturve që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor nuk arrijnë të marrin trajtim. Arsyet janë të shumta: nga kostot e papërballueshme të terapisë deri te mungesa e specialistëve. Në shumë vende, kërkesa për ndihmë është dyfishuar, duke lënë miliona njerëz në lista pritjeje, ndërkohë që gjendja e tyre rëndohet.

Nuk bëhet fjalë vetëm për ndjenja, por edhe për ekonomi. Humbja e produktivitetit dhe mungesat në punë për shkak të stresit kapin shifrën marramendëse prej $282 miliardë në vit vetëm në SHBA. Të rinjtë e sotëm ndihen të “djegur” (burnout) pa e filluar mirë karrierën, të ndrydhur mes pasigurisë financiare dhe krizave globale që u rrinë mbi kokë.

Megjithatë, jo çdo gjë është e zezë. Gjenerata Z po cilësohet si brezi që po “shpëton” shëndetin mendor duke thyer tabutë mijëvjeçare. Ata janë të parët që po flasin hapur për terapinë dhe po kërkojnë që mjediset e punës të prioritizojnë paqen shpirtërore mbi fitimin. Sot, të pranosh se “nuk je mirë” nuk shihet më si dobësi, por si një hap drejt shërimit. /Prive By Liberta Spahiu