Tentoi ta vrasë babanë me sëpatë në Isniq, aktakuzë ndaj të pandehurit

I pandehuri me inicialet K.M., në shkurt të këtij viti, në fshatin Isniq të Deçanit kishte tentuar ta vrasë me sëpatë babanë e tij, kështu duke i shkaktuar lëndime trupore në dorë dhe kokë, shkruan Zeri.info.

Ndaj të njëjtit Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë për veprën penale “Vrasje e rëndë, e mbetur në tentativë”.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë, pa ndërhyrje:

Aktakuzë për vrasje të rëndë në tentativë ndaj djalit që goditi babanë me sëpatë

Pejë, 20 prill 2026 - Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit K.M., për shkak të veprës penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i pandehuri K.M., më datë 05 shkurt 2026, rreh orës 17:59, në fshatin Isniq të Deçanit, pikërisht në shtëpinë e tij, duke vepruar në gjendje të aftësisë esencialisht të zvogëluar, ka tentuar ta privoj nga jeta anëtarin e familjes, përkatësisht babanë e tij, me të cilin fillimisht kishte mosmarrëveshje verbale mes tyre, e me pas i pandehuri me sëpatë e godet të dëmtuarin në dorë dhe në kokë duke i shkaktuar lëndime trupore.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si më lart.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale, e cila i vihet në barrë. /Zëri