Pas 200 vjetësh rikthehen papagajtë shumëngjyrësh në pyjet e Rio-s
Në periferi të Rio de Zhaneiros, në parkun kombëtar të Tijuca-s, po rikthehen papagajtë me pendë të verdha dhe blu, të munguar në këtë pyll prej më shumë se 200 vitesh.
Biologët e programit Refauna po punojnë për të ripopulluar zonën dhe për t’i rikthyer asaj faunën e saj origjinale.
Deri më tani janë rikthyer katër individë, të cilëve shumë shpejt do t’u shtohen edhe gjashtë të tjerë, me objektivin përfundimtar për të liruar gjithsej pesëdhjetë.
Marcelo Rheingantz, drejtori i nismës, komentoi: “Është vërtet e bukur të ribashkosh orkestrën e pyllit”.
Drejtoresha e parkut, Viviane Lasmar, e vlerësoi këtë ngjarje: “Janë kaq madhështorë. Nuk është çudi që të gjithë vizitorët pyesin vazhdimisht si mund t’i shohin”.
Më pas ajo përfundoi duke theksuar rëndësinë e projektit për komunitetin lokal: “Për mua, si drejtoreshë e parkut, është diçka e veçantë. Por akoma më shumë si banore e Rio-s. Është një ëndërr e bërë realitet”./atsh