Si U.D Presidente, Albulena Haxhiu ka po aq kompetenca sa të kishte mandat të plotë

Fare pak ditë pasi filloi ushtrimin e detyrës së postit të Presidentes, Albulena Haxhiu e kreu një punë të rëndësishme.

Bashkë me Kryeministrin Albin Kurti, ia dhanë edhe një mandat pesë vjeçar Petrit Ajetit në krye të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Por, Haxhiu, ndonëse është veç ushtruese e detyrës përkohësisht, nuk ka fare dallim sa i përket kompetencave në raport me një President mandat plotë.

Kjo e drejtë, është konfirmuar që nga një aktgjykim i hershëm i Kushtetueses.

“Kemi një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me rastin e Jakup Krasniqit, kur ishte UD, ku tregohet që nuk ka kufizim të kompetencave në raport me një president me mandat të plotë”, ka thënë Melos Kolshi, Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Andaj, në vazhdim, konsiderohet se rruga është e hapur edhe për vendime të tjera.

“Problemi më i madh në situatën e tanishme, që shpërfaqët tani, është pikërisht mos vendimmarrja e Presidentes Vjosa Osmani, e cila i ka lënë një sërë çështjesh pa përfunduar, siç është kreu i AKI-së, KQZ-në, Kryeprokurorin e Shtetit pa i përmbyllur, dhe të njëjtat do mund të përmbyllen nga Haxhiu”, ka thënë Eugen Cakolli, Instituti Demokratik i Kosovës.

Megjithatë, për faktin që Haxhiu është pjesë e një subjekti politik, njohësit vlerësojnë që vendimet duhet të merren me kujdes të shtuar.

“Për faktin që është pjesë e një partie politike, pra nuk vlejnë limitimet, mund të marrë vendimet të cilat në kuptim të besimit publik, dhe të ngjashme, pa dashur të paragjykoj se vendimmarrja do jetë mbi pikëpamje partiake plotësisht”, ka thënë Eugen Cakolli, Instituti Demokratik i Kosovës.

“UD është një pozitë tranzitore, dhe duhet të kryejë punë për garantimin e funksionimit të institucioneve, por jo edhe ato punë që janë pa urgjencë, për arsye që këto duhet të kryhen nga presidenti me mandat të plotë”, ka thënë Melos Kolshi, Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Sipas Kushtetutës, Albulena Haxhiu postin e Presidentes nuk mund ta ushtrojë më shumë se gjashtë muaj./dukagjini