Gara shpejtësie, dy shoferë të rinj gjobiten nga Policia në Ferizaj

Policia në Ferizaj ka njoftuar se mbrëmë ka ndaluar dy shoferë të cilët po zhvillonin gara shpejtësie në rrugën “Brahim Ademi ” në këtë qytet.

Bëhet e ditur se shoferët me inicialet A.Q. (23 vjeç), i cili drejtonte një veturë të tipit Vovlo ngjyrë e gjelbër me targa vendore, dhe L.K. (19 vjeç), i cili po drejtonte një veturë të tipit Mercedes ngjyrë e zezë me targa vendore, janë kapur në flagrancë duke zhvilluar gara shpejtësie.

“Për këto kundërvajtje të rënda në trafik, ndaj tyre janë shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 euro, 5 pikë negative, si dhe masa mbrojtëse – ndalim i të drejtës për të drejtuar automjetin për 12 muaj”.
“Policia Rajonale në Ferizaj u bën thirrje të gjithë shoferëve që të shmangin garat e shpejtësisë, pasi ato përbëjnë rrezik serioz për jetën e tyre dhe për pjesëmarrësit e tjerë në trafik”, thotë policia në një njoftim për media.