Policia jep detaje për aksionin në Zubin Potok, çfarë u sekuestrua në dy lokacione

Një sasi e madhe armatimi dhe pajisjesh ushtarake është zbuluar dhe sekuestruar në dy aksione të ndara policore në Zubin Potok, falë informacioneve të siguruara nga qytetarët.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti i parë është regjistruar në fshatin Paljevo, ku pas një kontrolli në një hambar janë gjetur një pushkë e tipit Zastava M59, 168 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe një uniformë ushtarake me simbole të shtetit serb.

Ndërkohë, në një lokacion tjetër po në të njëjtin fshat, policia ka realizuar një kontroll në një shtëpi të braktisur, ku është zbuluar një arsenal edhe më i madh armësh. Aty janë sekuestruar një zollë, dy tromblonë, dy granata dore të tipit M75, dy armë automatike AK-47, nëntë karikatorë, mbi 160 fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe dy thika taktike.

Të gjitha veprimet janë ndërmarrë nga njësitë e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut, ndërsa rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Pavarësisht sasisë së konsiderueshme të armatimit të sekuestruar, deri më tani nuk është raportuar për persona të arrestuar.

Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka bërë thirrje që çdo informacion i dyshimtë të raportohet në numrin emergjent 192.

Ndërkohë, për rastin ka njoftuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se operacionet e tilla nuk do të ndalen.